A po arrijnë të marrin veten socialistët nga protestat dhe lufta e brendshme në parti? Ende mbetet një situatë e paqartë në mazhorancën socialiste, por Edi Rama po mundohet të vërë në lëvizje drejtuesit politikë, në mënyrë që të zbresin në terren dhe të intensifikojnë takimet me qytetarët, të cilat shkojnë përtej atyre me teserë partie.
Mungesa e takimeve për shkak të protestave i ka larguar socialistët nga qytetarët, por tashmë do të duhet të kapërcejnë frikën e “vezës” dhe të marrin rrugët, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë.
Diaspora është në fokusin e tyre, sidomos në Greqi, Itali, Gjermani dhe Angli. Drejtuesi politik Taulant Balla e nis turin me Athinën, kësaj radhe jo për t'u mësuar se si të votojnë, por për t'i bindur ata që të kthehen më 9 maj në atdhe dhe të votojnë PS-në. Oferta e të majtëve kësaj radhe për ta është edhe një vend i mundshëm si kandidat për një bashki të caktuar apo si këshilltar bashkiak.
Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, Edi Rama ka frikë se mund ta humbasë Tiranën, jo vetëm për shkak të kostove elektorale të luftës së brendshme, por edhe për kandidatin e mundshëm që mund të nxjerrë opozita.
Brenda PS-së qarkullojnë shumë emra, por në fund do të vendosin fillimisht lobimet dhe më pas sondazhet. Duket se kësaj radhe Rama ka zgjedhur të ristrukturojë PS-në e Tiranës dhe më pas t'i vendosë emrin kandidatit që do të përfaqësojë trëndafilin e shumëpërfolur të PS-së.
E shtuna pritet të jetë interesante për socialistët e Tiranës, pasi, përveç mesazheve që do të marrin nga Rama, pritet të ketë edhe një riorganizim të zonave elektorale të kryeqytetit. (A2 Televizion)