Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një "armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm" midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gaza dhe akses të papenguar në ndihmat në të gjithë enklavën e shkatërruar nga lufta. 14 vendet e tjera në këshill votuan në favor të draftit, ndërsa një krizë humanitare ka përfshirë enklavën me më shumë se 2 milionë banorë, ku uria është në prag dhe ndihma ka ardhur vetëm që kur Izraeli hoqi bllokadën 11-javore muajin e kaluar.
"Kundërshtimi i SHBA-së ndaj kësaj rezolute nuk duhet të na befasojë. Është e papranueshme për atë që thotë. Është e papranueshme për atë që nuk thotë. Dhe është e papranueshme për mënyrën se si është paraqitur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta: Ne nuk do të mbështesim asnjë masë që nuk dënon Hamasin. Ajo nuk bën thirrje që Hamasi të çarmatoset dhe të largohet nga Gaza”, tha Dorothy Shea, Përfaqësuese e SHBA në Kombet e Bashkuara.
Votimi në Këshillin e Sigurimit erdhi ndërsa Izraeli vazhdon me një ofensivë në Gaza, pasi i dha fund një armëpushimi dy-mujor në mars. Autoritetet shëndetësore të Gazës thanë se sulmet izraelite vranë 45 persona të mërkurën, ndërsa Izraeli tha se një ushtar vdiq në luftime. Ambasadorja e Britanisë në OKB, Barbara Woodward, kritikoi vendimet e qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionet e saj ushtarake në Gaza dhe për të kufizuar rëndë ndihmën humanitare si "të pajustifikueshme, joproporcionale dhe kundërproduktive".
Izraeli ka hedhur poshtë thirrjet për një armëpushim të pakushtëzuar ose të përhershëm, duke thënë se Hamasi nuk mund të qëndrojë në Gaza. Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, u tha anëtarëve të këshillit që votuan në favor të draftit: "Ju zgjodhët paqësimin dhe nënshtrimin. Ju zgjodhët një rrugë që nuk çon në paqe. Vetëm në më shumë terror."
Hamasi dënoi veton e SHBA-së, duke e përshkruar atë si shfaqje të "paragjykimit të verbër të administratës amerikane" ndaj Izraelit. Draft-rezoluta e Këshillit të Sigurimit kishte kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe të tjerët. (A2 Televizion)