Fundi i luftës në këmbim të anëtarësimit në NATO. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për herë të parë ka sugjeruar që një marrëveshje armëpushimi me Rusinë mund të arrihet nëse territori ukrainas që ai kontrollon mund të vendoset “nën ombrellën e NATO-s”.
Kushti tjetër i Zelenskit është që të lihet hapur mundësia për të negociuar për kthimin në dorëzim të Kievit, edhe të pjesës tjetër të territorit më vonë “në mënyrë diplomatike”.
Këtë pohim Presidenti i Ukrainës e ka bërë për Sky News. Stuart Ramsay i kërkoi Zelenskit një mendime mbi planet e presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ku ndoshta Kievi do të duhet t’i dorëzojë Rusisë tokën që ka marrë, në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Dhe lideri ukrainas u përgjigj duke thënë se anëtarësimi në NATO do të duhet t’u ofrohet pjesëve të papushtuara të vendit në mënyrë që t’i jepet fund “fazës së nxehtë të luftës”, për sa kohë që vetë ftesa e NATO-s njeh kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.
Ky është një moment i rrallë, pasi vetë Zelenski kurrë më parë nuk kishte pranuar se pjesët lindore të okupuara nga Rusia mund të mbeteshin jashtë një marrëveshjeje për paqen.
“Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të fusim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë. Ne duhet ta bëjmë këtë gjë sa më shpejt. Dhe pastaj sa i përket territorit të pushtuar të Ukrainës, Ukraina mund t’i kthejë ato në një mënyrë diplomatike”, u shpreh lideri ukrainas.
Zelensky ndër tjera tha se një armëpushim ishte i nevojshëm për të “garantuar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të kthehet për të pushtuar më shumë territor” në Ukrainë. (A2 Televizion)