Rebelët sirianë hyjnë në Aleppo, Kremlini bën thirrje për vendosje të rendit kushtetues

Nga Erjon Dervishi
29 Nëntor 2024, 19:45 | Bota

Siria është përfshirë nga kaosi dhe dhuna. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se rebelët e armatosur sirianë kanë hyrë në Aleppo vetëm tre ditë pas ofensivës së tyre të befasishme, duke shënuar herën e parë që ata kanë shkelur në qytetin e dytë më të madh të vendit që kur forcat qeveritare rimorën qytetin në vitin 2016.

Forcat rebele filluan një sulm të befasishëm këtë javë, duke përfshirë disa fshatra jashtë qytetit dhe duke rindezur konfliktin që kishte qenë kryesisht prezent prej vitesh, raporton A2.

Në video shfaqet një luftëtar rebel filmon teksa kalon me makinë nëpër rrugët e shkreta në anën perëndimore të qytetit. Ai dëgjohet duke lavdëruar Zotin ndërsa automjeti i afrohet xhamisë Zine El Abidine në Aleppo perëndimore.

Ushtria zyrtare siriane tha se po përballej me një "sulm të madh" dhe pretendoi se po "përforcon të gjitha vendndodhjet përgjatë fronteve të ndryshme të betejës", por shumë banorë të qytetit thonë se forcat e regjimit janë tërhequr nga disa lagje në pjesën perëndimore të Aleppos, transmeton A2.

Ofensiva, e cila filloi të mërkurën, është shpërthimi i parë i madh në vite midis opozitës siriane dhe regjimit të presidentit Bashar al-Assad, i cili ka sunduar vendin e shkatërruar nga lufta që nga viti 2000.

Grupi rebel njoftoi më herët se kishte marrë nën kontroll Qendrën Kërkimore Shkencore Ushtarake të qeverisë siriane në periferi të qytetit Aleppo pas “përplasjeve intensive me forcat e regjimit dhe milicitë iraniane”, shkruan A2.

Në një telefonatë me homologun e tij sirian për të diskutuar përshkallëzimin, ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për "riaktivizimin" e rebelëve dhe "theksoi mbështetjen e vazhdueshme" të Iranit për qeverinë dhe ushtrinë siriane. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u bëri thirrje autoriteteve siriane që "të rivendosin shpejt rendin në këtë zonë dhe të rivendosin rendin kushtetues". Si Irani ashtu edhe Rusia janë aleatët kryesorë të Sirisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos