Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar atë që konsiderohet natë e luftës së dronëve. Sirenat e alarmit u dëgjuan gjatë natës në jug, lindje dhe qendër të Ukrainës, të cilat u pasuan me një seri dronësh që goditën edhe struktura civilësh.
Në një reagim për shtyp të ushtrisë vendase mësohet se objektivi kryesor i Rusisë në këto sulme ishte shkatërrimi i mbrojtjes antiajrore përmes raketave Kh-31P, gjë që sipas tyre nuk u arrit. Ndërkohë, as Ukraina nuk qëndroi në heshtje.
Dronë të armatosur mirë u rrëzuan gjatë natës nga mbrojtja ruse pranë qytetit kufitar të Belgorodit dhe në Detin e Zi. Ministria ruse e Mbrojtjes i cilësoi këto sulme të ushtrisë ukrainase si terroriste dhe që kishin si qëllim të shkaktonin panik te popullsia civile. Nga ana tjetër, presidenti Zelensky nuk harroi ofensivën në rrafshin diplomatik.
Në takimin e G7, lideri ukrainas pasi falënderoi Perëndimin për mbështetjen u shpreh se liderët e këtyre vendeve e kanë të qartë se për çfarë ka nevojë Ukraina në këto momente.
“Ju e dini shumë mirë se çfarë kemi nevojë për të mbrojtur qiejt tanë dhe për të forcuar trupat tona në terren, si dhe të gjithë mbështetjen që na nevojitet për të vazhduar të jemi të suksesshëm në det, dhe e kuptoni se ne kemi nevojë për të tani. Ne kemi besim te ju”, tha Zelensky.
Ndërkohë, komandantë të shumtë të baterive në ushtrinë ukrainase ankohen se tani ata thjesht duhet të rezistojnë me çfarë të munden, pasi ka mbetur shumë pak municion në dispozicion. Kjo do të thotë se ata mund të godasin vetëm objektivat me përparësinë më të lartë, një kufizim që lejon trupat ruse të avancojnë më shumë. Kongresi Amerikan vijon që të mos aprovojë kërkesën e Presidentit Joe Biden për ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën. (A2 Televizion)