NATO patrullon qiejt europianë, Aleanca në gatishmëri përballë provokimeve ruse

Nga Erjon Dervishi
3 Tetor 2025, 23:53 | Bota

Një ngritje e shpejtë nga një bazë ajrore në Gjermaninë Perëndimore. Jemi në një avion vëzhgimi të NATO-s, E-3 Sentry – në një mision për të penguar shkeljet ajrore ruse në hapësirën ajrore të NATO-s.

Fred Pleitgen, Korrespondent Ndërkombëtar i Lartë, shprehet: “Arsyeja pse këto fluturime janë kaq të rëndësishme është se ky avion ka një radar gjigant sipër dhe mund të shohë shumë larg në të gjitha drejtimet – rreth 650 kilometra për objektet që fluturojnë lart, pak më pak për ato më poshtë – por kjo do të thotë se mund të zbulojë avionë dhe mjete të tjera ajrore që afrohen në hapësirën e NATO-s shumë kohë përpara se të mbërrijnë”.

Ndërkohë që Moska po lavdëron atë që e quan përmirësim të marrëdhënieve mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit amerikan Donald Trump, ajo gjithashtu po teston gatishmërinë e NATO-s, shkruan A2.

Aviacioni i NATO-s së fundmi është ngritur me urgjencë për të rrëzuar disa dronë luftarakë rusë që kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë, anëtare e NATO-s. Dhe në fund të shtatorit, NATO tha se avionë rusë MiG-31 fluturuan mbi hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, ndërsa avionët e Aleancës u dërguan me shpejtësi për t’i shoqëruar jashtë.

Edhe pse Rusia mohon që avionët e saj të kenë hyrë ndonjëherë në territorin e NATO-s. Kjo është pjesë e përgjigjes së SHBA-së dhe aleatëve të saj: më shumë fluturime vëzhgimi.

Operacioni quhet “Eastern Sentry” (Roja Lindore). Kapiteni Jacob Anderson thotë se nëse avionët rusë afrohen, ata do t’i shohin: “Në atë pikë ndoshta i kemi vëzhguar për ca kohë. Ne po e transmetojmë informacionin nëpër rrjete taktike ushtarake. Pra, nuk jemi vetëm ne që jemi në dijeni, por i gjithë rajoni është i vetëdijshëm se ky objekt po i afrohet hapësirës ajrore.

Fred Pleitgen, Korrespondent Ndërkombëtar i Lartë, tregon: “Nëse shohim hartën, mund të shohim që aktualisht jemi duke fluturuar mbi Evropën Lindore. Ky është Kaliningradi, pjesë e Rusisë, dhe këtu poshtë është Bjellorusia. Pra, avioni ndodhet këtu, por mund të shohë shumë larg, edhe përtej kufijve të NATO-s”.

E-3 duhet të qëndrojë në këtë zonë për orë të tëra, diçka që mundësohet vetëm falë cisternave ajrore të Forcave Ajrore të SHBA-së që furnizojnë me karburant për të zgjatur misionin.

Furnizimi me karburant në ajër i një avioni me madhësinë e një avioni pasagjerësh është jashtëzakonisht sfidues, tregojnë pilotët: “Në thelb, është çështje menaxhimi fuqie dhe lëvizjeje anësore, për t’u siguruar që të ndihesh rehat gjatë afrimit dhe largimit nga pozicioni i caktuar”.

Anëtarët e ekuipazhit vijnë nga shtete të ndryshme anëtare të NATO-s.

Të gjithë me të njëjtin interes për suksesin e misionit, siç thotë nënkoloneli Stephen Wahnon: “Nuk është një komb i vetëm, por e gjithë NATO është e përfaqësuar në këtë avion tani. Pra, kur ne patrullojmë këto kufij, këta janë kufijtë tanë, apo jo? Kështu që për ne ka shumë rëndësi të jemi këtu për të mbrojtur kufijtë tanë”.

Dhe NATO thotë se vëzhgimi, të shohësh kërcënimet e mundshme para se të afrohen, është çelësi për t’i mbajtur këta kufij të sigurt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos