Trump teston limitet presidenciale. Shkarkime, presion, e më shumë kontroll tek agjencitë federale

Nga Rosalba Bejdo
3 Tetor 2025, 23:01 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump po punon për të ushtruar më shumë kontroll ndaj gjithçkaje që bën qeveria federale dhe agjencitë e saj, ndërsa sfidon normat e vendosura prej kohësh në mandatin e tij të dytë.

Ai këmbënguli se ka të drejtën të bëjë gjithçka që dëshiron, kur paralajmëroi dërgim të trupave të Gardës Kombëtare për patrullimin e Çikagos, ndërsa më herët e kishte ndërmarrë një hap të tillë edhe në Uashington.

Si pjesë e fushatës kundër krimit dhe të rivendosjes së rendit, ai po bëhet gati të mobilizojë ushtrinë për patrullime edhe në qytete e shtete të tjera të drejtuara nga demokratët. Presidenti amerikan ka sugjeruar qytetet që i cilëson si të rrezikshme mund të përdoren si “terrene trajnimi” për ushtrinë duke sfiduar normat civile ushtarake dhe duke ngritur shqetësime për abuzime me pushtetin, shkruan A2CNN.

Kritikë dhe ekspertë ligjorë e quajnë këtë militarizim të qyteteve dhe shkelje të Kushtetutës. Gjithashtu, një numër shkarkimesh të profilit të lartë do të testojnë se sa larg është i gatshëm të shkojë. Brenda pak ditëve, Presidenti republikan veproi për të shkarkuar guvernatoren e rezervave federale Lisa Cook dhe kreun e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Susan Monarez, duke detyruar edhe zyrtarë të tjerë të lartë të dorëhiqen.

Lëvizjet treguan dëshirën e madhe të Trumpit për të ndikuar në sektorë që normalisht shihen si të pavarur nga kontrolli politik dhe mund të keni implikime të mëdha për tregjet financiare, politikat shëndetësore dhe besimin publik tek institucionet. Ekspertë si Jane Manners, profesoreshë e asociuar e drejtësisë në Univeristetin Fordham në Nju Jork, shkarkimet mund të minojnë edhe besimin tek agjencisë që synojnë ofrojnë ekspertizë, ndërsa operojnë mbi çdo politikë partiake.

Jane Manner, profesore e asociuar te Fordham University, u shpreh: “Ideja është që ky zyrtar, ky komisioner, ky anëtar i bordit, cilido qoftë emërimi, supozohet të shërbejë për një mandat disavjeçar pa kërcënim shkarkimi. Arsyeja për këtë është se ata supozohet të jenë të izoluar nga kontrolli politik. Ne nuk duam, sipas mendimit tonë, njerëz që janë përgjegjës për marrjen e këtyre vendimeve vërtet të rëndësishme në lidhje me sigurinë e produkteve të konsumit, shëndetin publik. Ekonominë tonë. Ne nuk duam që këta njerëz të ndikohen nga presioni politik. Në vend të kësaj, ne duam që vendimet e tyre të bazohen në ekspertizë, që të bazohen në prova, ne duam që ata t'i nënshtrohen rreptësive të vendimmarrjes pa presion politik”.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti po vepronte brenda autoritetit të tij ligjor për të përmbushur agjendën të cilën u zgjodh të ve në zbatim. Administrata ka sqaruar se Monarez u shkarkua pasi nuk ishte në një linjë me agjendën e Trumpit. Monarez bëri betimin në postin e ri, një muaj më parë dhe i rezistoi ndryshimeve ndaj politikës së vaksinave, që siç tha, besonte se binin ndesh me provat shkencore, siç tha një bashkëpunëtor i afërt i saj.

Ndërkohë, administrata ka akuzuar guvernatoren e Rezervave Federale, Lisa Cook, për mashtrim me kreditë, diçka të cilën ajo e mohon. Por, Presidenti republikan bëri të qartë edhe një tjetër motiv për shkarkimin e saj, duke thënë në një mbledhje kabineti se së shpejti do të kishte një ekip luajalistësh në bordin e Rezervave Federale, çka do të ndihmojë në vendosjen e normave të interesit që Trump i dëshiron më të ulta. Shumica e presidentëve amerikanë janë përmbajtur edhe nga komentet ndaj Rezervave Federale, e jo më ndikimi në politikat monetare, apo shkarkimi i pjesëtarëve të bordit të guvernatorëve.

Bankat e pavarura qëndrore rreth botës, shihen si thelbësore për ruajtjen e një ekonomie të qëndrueshme globale, por Trump ka sfiduar shpesh normat. Ai vazhdimisht ka shtyrë kryetarin e Rezervave Federale, Jerome Powell, të ulë normat e interesit dhe ka vënë në pikëpyetje shpenzimet e tij ndaj rinovimeve të zyrave të institucionit. 

Daniel Farber, profesor i Universitetit të Kalifornisë, u shpreh: “Ai dëshironte të thyente normat që në mandatin e parë dhe kjo ishte diçka për të cilët njerëzit e përfolën. Por, në këtë mandat të dytë, ai duket totalisht i papërmbajtur në thyerjen e normave. Ka ardhur i përgatitur këtë herë dhe me një fushatë më të organizuar për të shtrirë pushtetin e presidencës e për të siguruar që çdo zyrtar në degën ekzekutive të jetë në dorë të tij dhe për të përdorur në një farë mënyre pushtetin e qeverisë federale”.

Fushatë të egër, kreu i Shtëpisë së Bardhë po ndjek edhe ndaj kundërshtarëve politikë, të tillë si ish-drejtori i FBI, James Comey. Duke e cilësuar si “kriminelin më të keq” njeriun që udhëhoqi çështjen për lidhjet e dyshuara të tij me Rusinë në 2016, Trump ka ushtruar presion tek Departamenti i Drejtësisë për të ngritur akuza ndaj tij për dëshmi të rreme në Kongres.

Akuzat federale të shtatorit 2025 kundër Comey-t, të kombinuara me shkarkimin e tij në 2017 gjatë hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, tregojnë një përpjekje të qëndrueshme për të politizuar FBI-në dhe për ta kthyer atë në një mjet për të goditur kundërshtarët. Kjo ka dëmtuar rëndë besimin publik te pavarësia e agjencisë. Ekspertët ligjorë thonë se ky akt sinjalizon një përpjekje më të gjerë për të përdorur ligjin kundër rivalëve dhe disidentëve politikë. 

“Kjo nuk ka të bëjë me ngritjen e një padie. Kjo ka të bëjë me mbjelljen e terrorit në zemrat e njerëzve që kritikojnë Presidentin Trump. Dhe për këtë arsye, ju nuk jeni të sigurt, familja juaj nuk është e sigurt, jetesa juaj nuk është e sigurt. Dhe Comey ka një profil mjaft të lartë. Njerëz të tjerë si George Soros, të cilët Presidenti dëshiron t'i përndjekë, kanë një profil mjaft të lartë dhe një miliard a më shumë dollarë. Pra, disa njerëz do të jenë më të lehtë se të tjerët. Ajo që Trump dëshiron të bëjë është të terrorizojë avokatët e karrierës në qeveri. Ai dëshiron të terrorizojë burokratët e karrierës në mënyrë që askush të mos flasë kundër tij. Ky është një autokrat klasik, një veprim klasik diktatori”. 

Ndryshe nga presidentët ambiciozë të SHBA-së që e paraprinë atë, nga Abraham Lincoln te Franklin D. Roosevelt, komandanti aktual i përgjithshëm deri më tani është përballur me pak kundërshtime Kongresi dhe Gjykata Supreme. Vendimi i tij për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse ndaj vendeve të tjera, të cilat tronditën tregjet, erdhi pavarësisht një dispozite në Kushtetutë që i jep Kongresit pushtetin mbi taksimin dhe tarifat. Një gjykatë federale e apelit vendosi se qasja e Trump kishte tejkaluar autoritetin e tij.

“Mendoj se politikat e veçanta ndryshojnë çdo ditë. E shihni çfarë po ndodh me tarifat, për shembull. Ai ul tarifat dhe pastaj ndodh diçka tjetër dhe ai ndryshon mendje dhe i rrit ato. Por, ajo që mbetet e njëjtë është përdorimi i autoritetit presidencial, ose ajo që ai të paktën beson se është autoriteti presidencial për të marrë vendime që kanë pasoja vërtet të mëdha për ekonominë, pa ndonjë autorizim specifik të Kongresit për të ndjekur këtë politikë. Pra, kemi parë, për shembull, se disa lloj barrierash mbrojtëse brenda burokracisë janë shembur, kështu që njerëzit që dikur ishin në gjendje të ushtronin njëfarë pavarësie qoftë si çështje normash apo ajo që ne mendonim se ishte ligj, tani po i binden diktatit të tij”, shpjegon profesor Farber. 

Kongresi në thelb nuk po ofron asnjë kontroll, ose pothuajse asnjë, mbi veprimet presidenciale. Gjykata Supreme e dominuar nga konservatorët ka miratuar disa nga pohimet e Trump për autoritetin ekzekutiv, duke përfshirë aftësinë e tij për të shkarkuar anëtarët e agjencive rregullatore nominalisht të pavarura. Gjykata aludoi për disa kufizime në një vendim të kohëve të fundit, duke sugjeruar se një autoritet i tillë mund të mos shtrihet plotësisht tek Rezerva Federale.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos