Ndryshon realiteti në terren, Rusia terrorizon Ukrainën me bomba 3 mijë kilogramë

Nga Erjon Dervishi
14 Janar 2025, 17:23 | Bota

Rusia thotë se ka zbuluar një ndryshim nga presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe ekipi i tij drejt njohjes së "realiteteve" në terren në Ukrainë, dhe e sheh këtë si një shenjë mirëseardhjeje ndërsa përgatitet të studiojë plani për përfundimin e luftës. Ky fakt është bërë i ditur nga Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov në një konferencë për mediat.

“Çdo gjë e cila është diskutuar gjatë vitit të kaluar ka disa aspekte. Pikë së pari, fakti se disa njerëz kanë filluar të përmendin realitete të reja në terren më shpesh, ky fakt meriton të mirëpritet. Trump e ka përmendur në një intervistë të gjatë, pasojat e një konflikti si pasojë e tërheqjes së Kievit me zor drejt NATO-s, në kundërshtim me marrëveshjet të cilat ishin arritur mes Rusisë dhe SHBA-së”, tha Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm rus.

Trump javën e kaluar pranoi kundërshtimin e gjatë të Moskës ndaj ambicies së Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n, diçka që sipas tij do të thotë se "Rusia ka dikë në pragun e tyre dhe unë mund ta kuptoj ndjenjën e tyre për këtë." Rusia kontrollon rreth një të pestën e Ukrainës pas gati tre vjetësh lufte dhe thotë se çdo marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit duhet ta marrë parasysh këtë. Në shtator të vitit 2022, ajo shpalli katër rajone të Ukrainës që i kontrollon vetëm pjesërisht si pjesë të territorit të saj, në një veprim të dënuar me shumicë dërrmuese nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si një "tentativë aneksimi ilegal".

Sakaq, ushtria ruse po rrafshon qytete të tëra në Ukrainë me mijëra bomba të të cilat janë të përafërta me raketat lundruese kruize. Bombat ajrore të konvertuara peshojnë deri në 3000 kilogramë, theksojnë mediat gjermane. Civilët në shumë pjesë të vendit janë të pambrojtur ndaj armës, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se trupat e saj kanë marrë nën kontroll dy fshatra të tjerë në Ukrainën lindore në rajonin Donetsk të Ukrainës, pjesërisht të pushtuara nga ushtarët e Kremlinit. Kjo është bërë e ditur nga agjencia e lajmeve Interfax. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos