Në 10 ditë luftë SHBA-Iran, janë plagosur 150 ushtarë amerikanë

Nga A2 CNN
11 Mars 2026, 07:40 | Bota

Në 10 ditë luftë SHBA-Iran, janë plagosur 150 ushtarë

Rreth 150 ushtarë amerikanë janë plagosur gjatë 10 ditëve të para të luftës mes shteteve të Bashkuara dhe Iranit, raportoi agjencia Reuters duke cituar dy persona të njohur me çështjen.

Sipas raportimit, kjo shifër nuk ishte bërë më parë publike. Para publikimit të këtij informacioni nga Reuters, Pentagoni kishte konfirmuar vetëm tetë ushtarë amerikanë të plagosur rëndë.

Pas publikimit të lajmit, Pentagoni reagoi me një deklaratë duke thënë se numri i të plagosurve është rreth 140. Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, tha se shumica e plagëve janë të lehta.

“Sipas të dhënave që nga fillimi i operacionit ‘Epic Fury’, rreth 140 pjesëtarë të forcave amerikane janë plagosur gjatë 10 ditëve të sulmeve të vazhdueshme,” deklaroi ai.

Sipas tij, 108 nga ushtarët e plagosur janë rikthyer në detyrë, ndërsa tetë të plagosurit rëndë po marrin kujdesin më të lartë mjekësor.

Reuters thekson se ende nuk dihet lloji i plagëve të pësuara nga ushtarët dhe nëse mes tyre përfshihen edhe dëmtime traumatike të trurit, të cilat janë të zakonshme pas shpërthimeve.

Irani ka ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake amerikane që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt. Sipas Pentagonit, numri i sulmeve iraniane ka rënë ndjeshëm ditët e fundit, ndërsa ushtria amerikane po godet depot e armëve dhe lëshuesit e raketave të Teheranit.

Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, Dan Caine, deklaroi se Irani nuk ka rezultuar një kundërshtar më i fortë sesa ishte parashikuar në planet ushtarake amerikane.

“Po luftojnë dhe e respektoj këtë, por nuk mendoj se janë më të frikshëm nga sa kishim parashikuar,” tha ai gjatë një konference për shtyp në Pentagon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos