Izraeli në gjykatën e Hagës për krimet në Gaza. Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nisi të enjten seanca dyditore lidhur me rastin e ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për gjenocid në luftën e tij në Gaza. Gjyqtarët do të dëgjojnë argumentet e Afrikës së Jugut të enjten, dhe një ditë më vonë përgjigjen e Tel Avivit që i mohon akuzat.
Avokatët për Afrikën e Jugut u kërkuan gjyqtarëve që të vendosin urdhra paraprakë detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë një ndalim të menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza.
"Afrika e Jugut pretendon se veprimet dhe mosveprimet e Izraelit, për të cilat ngre padi, kanë karakter gjenocidal sepse, synojnë shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të grupit kombëtar racor dhe etnik palestinez. Afrika e Jugut pohon se aktet përkatëse i atribuohen Izraelit, i cili ka dështuar të parandalojë gjenocidin dhe po kryen gjenocid, dhe i cili gjithashtu ka shkelur dhe vazhdon të shkelë detyrime të tjera themelore sipas Konventës së Gjenocidit."
Para hapjes së procesit, qindra protestues pro-izraelitë parakaluan para ndërtesës së gjykatës me parulla ku shkruhej "Sillini në shtëpi", duke iu referuar pengjeve që ende mbahen nga Hamasi. Po ashtu grupe pro palestineze protestuan në mbështetje të veprimit të Afrikës së Jugut.
Çështja godet në zemër të identitetit kombëtar të Izraelit si një shtet hebre i krijuar pas gjenocidit nazist të Holokaustit. Ajo përfshin gjithashtu identitetin e Afrikës së Jugut ku partia qeverisëse, Kongresi Kombëtar Afrikan, ka krahasuar prej kohësh politikat e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor me historinë e tij nën regjimin e aparteidit.
Ndonëse i konsideron gjykatat e OKB-së dhe ato ndërkombëtare të padrejta dhe të njëanshme, Izraeli ka dërguar një ekip të fortë ligjor për të mbrojtur operacionin e tij ushtarak. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu publikoi një video deklaratë të mërkurën mbrëma ku tha se ushtria izraelite "po bën të pamundurën për të ulur numrin e viktimave civile, ndërsa Hamasi po bën çmos për t'i rritur ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore".
(A2 Televizion)