Sulmi në Rafah do të fillojë shumë shpejt. Paralajmërimi final vjen nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Ai u zotua të nisë një inkursion në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku qindra mijëra palestinezë janë strehuar nga lufta gati 7-mujore. Sulmi do të ndodhë edhe nëse arrihet një marrëveshje me Hamasin, për të cilën Tel-Avivi është shumë skeptik.
“Ideja se ne do të ndalojmë luftën përpara se të arrijmë të gjitha qëllimet e saj është jashtë diskutimit. Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë batalionet e Hamasit atje, me ose pa marrëveshje, në mënyrë që të arrijmë fitoren totale”, tha Netanyahu.
Komentet e Netanyahut erdhën disa orë përpara se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të mbërrinte në Izrael për të folur për bisedimet e armëpushimit. Marrëveshja synon të lirojë pengjet izralite të mbajtura nga Hamasi, të sjellë pak lehtësi për popullatën dhe të shmangë një ofensivë izraelite në Rafah dhe dëmin e mundshëm për civilët atje.
I ndodhur nën presion të madh nga opozita radikale, Netanyahu ka mobilizuar ushtrinë e cila ka rreshtuar tanket në kufirin me Gazën. Ushtria izraelite bëri të ditur se po përgatit divizionet e tyre për luftën e vazhdueshme.
“Në javën e kaluar, ne filluam të rrisim gatishmërinë e të gjitha forcave për të përgatitur pajisjet dhe për t'u siguruar që ato të jenë gati dhe efektive ashtu si në ditën e parë të operacionit tokësor”, tha nënkolonele Efrat, oficer i teknologjisë dhe mirëmbajtjes i Brigadës 16.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se operacioni në Rafah mund të shtyhet nëse Hamasi pranon marrëveshjen e ofruar, e cila nuk përfshin armëpushim përfundimtar, por kthimin e 33 pengjeve në këmbim të një numri shumë më të madh të të burgosurve palestinezë dhe një pauzë në luftime.
Pozicioni i Netanyahut është komplikuar gjithashtu edhe nga fakti se Gjykata Penale Ndërkombëtare mund të përgatisë urdhërarreste për të dhe udhëheqësit e tjerë të lartë izraelitë mbi akuzat që lidhen me krimet e luftës në Rripin e Gazës. (A2 Televizion)