Nga Dubai në Greqi e Itali, lufta me Iranin po ndryshon zgjedhjet e pushuesve

Nga A2 CNN
6 Gusht 2026, 11:31 | Bota

Nga Dubai në Greqi e Itali, lufta me Iranin po ndryshon zgjedhjet e

Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po ndryshon ndjeshëm hartën e udhëtimeve verore, duke detyruar mijëra turistë të rishikojnë planet e tyre për shkak të anulimeve të fluturimeve, ndryshimeve të itinerareve dhe pasigurisë në rajon.

Sipas një raporti të Al Jazeera, konflikti ka detyruar kompanitë ajrore të shmangin pjesë të mëdha të hapësirës ajrore të Lindjes së Mesme, duke sjellë fluturime më të gjata, kosto më të larta dhe vonesa të shumta për udhëtarët.

Një nga rastet e përshkruara është ai i Nadia Waleed nga Londra, e cila u përball me ndryshime të njëpasnjëshme të fluturimeve gjatë pushimeve familjare drejt Balit dhe Pakistanit. Ndalesa e saj në Dubai u zgjat nga tre në 18 orë, ndërsa një fluturim kthimi u shty deri në një muaj.

Operatorët turistikë në Britaninë e Madhe thonë se janë detyruar të riorganizojnë ose anulojnë mijëra rezervime, veçanërisht për destinacionet që kalojnë përmes Dubait, Katarit dhe Abu Dhabit. Megjithatë, kjo situatë ka favorizuar destinacionet evropiane.

Sipas kompanisë Trailfinders, Italia, Spanja, Greqia dhe Norvegjia janë ndër vendet që po përjetojnë rritjen më të madhe të kërkesës këtë verë, pasi turistët preferojnë destinacione më të afërta dhe më të sigurta.

Edhe operatori më i madh turistik në Evropë, TUI, konfirmon se këtë sezon po rritet ndjeshëm numri i rezervimeve për pushime brenda kontinentit, ndërsa turistët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt paketave të organizuara që ofrojnë më shumë mbrojtje në rast ndryshimesh.

Ndërkohë, Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) ka zgjatur paralajmërimet për shmangien e hapësirës ajrore mbi disa vende të Lindjes së Mesme, ndërsa linja të mëdha ajrore si British Airways dhe Virgin Atlantic kanë pezulluar ose reduktuar fluturimet drejt destinacioneve në rajon.

Sipas pilotëve dhe ekspertëve të aviacionit, devijimet e detyruara shtojnë deri në dy orë kohë fluturimi dhe mijëra kilogramë karburant shtesë për çdo udhëtim, duke rritur kostot operative dhe vështirësitë logjistike.

Pasojat po ndihen edhe në destinacionet turistike që varen nga vizitorët ndërkombëtarë. Në Sri Lanka, rezervimet kanë rënë me 20 deri në 30 për qind, ndërsa operatorët turistikë e krahasojnë situatën me goditjen që industria pësoi gjatë pandemisë COVID-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos