![]()
Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet ndaj disa subjekteve të lidhura me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), një veprim që ka nxitur spekulime për një zbutje të mundshme të tensioneve dhe mundësinë e rifillimit të bisedimeve mes palëve.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Thesarit, tre kompani ajrore dhe dy avionë janë hequr nga lista dytësore e sanksioneve.
Kompanitë e përfshira janë Fly Baghdad Airlines Company, Iraq Express dhe Fly Baghdad, të cilat rezultojnë të regjistruara në të njëjtën adresë në Bagdad dhe të krijuara në të njëjtën datë.
Më herët, autoritetet amerikane i kishin lidhur ato me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, në veçanti me Forcën Qods, njësinë përgjegjëse për operacionet jashtë vendit, shkruan A2CNN.
Nga lista e sanksioneve janë hequr gjithashtu dy avionë Boeing 737, të prodhuar në vitet 2002 dhe 2008, të cilët sipas Departamentit të Thesarit ishin të lidhur me këto kompani ajrore.
(A2 Televizion)