Ka nisur seanca e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e zgjedhur votuan ashtu siç pritej për ta formuar Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se komisioni do të mblidhen në një takim, ndërkohë që urdhëroi një pushim prej 30 minutash. Më pas në rend dite mbetet:
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Megjithatë ngërçi politik lidhur me çështjen e presidentit, që dërgoi Kosovën në zgjedhjet e qershorit nuk është zgjidhur ende. Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se çelësi i marrëveshjes mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është pajtueshmëria për “balancë demokratike”.
Abdixhiku, i cili është takuar tri herë me Kurtin në përpjekje për të arritur një marrëveshje tejet të nevojshme për formimin e institucioneve dhe përfundimin e krizës politike, tha se mes palëve ka ende dallime të mëdha për çështjen e presidentit.
“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, tha Abdixhiku.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket zgjedhjes së presidentit. Ai shtoi se në takimet e mëhershme nuk është diskutuar për mundësinë që PDK-ja të propozojë një kandidat për president.
“Qëndrimi i PDK-së është konsistent. Do të thotë, ne kemi shkuar në takim, nuk kemi garuar për ndonjë pozitë, kemi garuar dhe kemi kërkuar votën e qytetarëve të Kosovës për ekonominë, për drejtësinë, për energjinë, për infrastrukturën, për anëtarësimet... Nëse nuk kemi dakordim për këto tema, për këto prioritete, atëherë është absurde të flasim për tema të tjera”, nënvizoi Hamza.
Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e presidentit. Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar lidhur me votimin e qeverisë e zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, Kosova “nuk ka as kohë dhe as energji me humb me lojëra dhe pazare politike”. Ndërkohë, sipas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, kuvendi është i ndarë në këtë mënyrë: Lëvizja Vetëvendosje parti e parë me 53 deputetë nga 120 në total, më pas PDK me 22 ulëse, LDK 18 deputetë, AAK me 7 mandate, pakicat serbe me 10 deputetë dhe ato jo serbe po me 10 mandate.
Zakonisht Vetëvendosje bashkëpunon me partitë e pakicave jo serbe për të qeverisur, megjithatë tani i duhet një aleancë me të paktën 80 deputetë për të tejkaluar ngërçin për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Nëse një bashkëpunim arrihet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kriza politike mund të zgjidhet, duke shmangur edhe një palë zgjedhje të reja. (A2 Televizion)