
Irani ka shpallur një protokoll të ri për mënyrën se si do të menaxhohet lundrimi në Ngushticën strategjike të Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës. Masat e reja vijnë në një moment tensionesh të larta dhe në prag të bisedimeve që pritet të zhvillohen në Islamabad.
Sipas autoriteteve iraniane, kalimi i anijeve në këtë ngushticë do të jetë i kufizuar dhe i kontrolluar. Gjatë krizës, vetëm disa anije nga vende të konsideruara “miqësore” me Iranin, si dhe ato që kanë paguar një tarifë kalimi, janë lejuar të kalojnë në mënyrë të sigurt.
Ekspertët paralajmërojnë se ky kontroll i vazhdueshëm nga Teherani pritet të hasë kundërshtime të forta nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore, të cilat e konsiderojnë Ngushticën e Hormuzit një rrugë ndërkombëtare që nuk duhet të kufizohet nga një shtet i vetëm.
Një detaj që ka tërhequr vëmendje është edhe mënyra e pagesës së tarifave. Të paktën dy prej tyre raportohet se janë kryer në juan kinez, një lëvizje që shihet si përpjekje për të dobësuar dominimin e dollarit amerikan dhe për të shmangur sanksionet e SHBA-së. Kina, e cila blen rreth 80% të naftës iraniane, përdor tashmë monedhën e saj në këto transaksione.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara nuk kanë reaguar drejtpërdrejt ndaj kushteve të shpallura nga Irani, ndërsa mbetet e paqartë nëse këto rregulla do të pranohen nga komuniteti ndërkombëtar.
Zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit pritet të jenë në qendër të diskutimeve diplomatike në ditët në vijim, pasi çdo kufizim i qarkullimit në këtë zonë mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet globale të energjisë. (A2 Televizion)