Irani me akuza të forta Izraelit për “ferrin”, Donald Trump i furishëm: Avionët, anijet, ushtarët dhe bombat i kemi gati

Nga Xhevahir Qardaku
9 Prill 2026, 16:55 | Bota

Irani me akuza të forta Izraelit për “ferrin”, Donald
Libani është nyja kritike që mund të hedhë në erë armëpushimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Izraeli ka vazhduar me bombardimet e fuqishme, në atë që po konsiderohet një ditë dhe natë ferri.

Dënimi i sulmeve më të mëdha të Izraelit në Liban që nga fillimi i luftës është në rritje. Një zëvendësministër i jashtëm iranian i tha BBC-së se ato ishin një “shkelje e rëndë” e armëpushimit SHBA-Iran.

Saeed Khatibzadeh akuzon Izraelin për një “masakër” në Liban, pasi sulmet ajrore vranë 254 persona atje të mërkurën dhe plagosën mbi 1 mijë të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Zyrtari nga Teherani thotë gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet nëse SHBA-të tërheqin “agresionin” e tyre.

Irani dhe Pakistani këmbëngulin që Libani është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, por SHBA-ja dhe Izraeli pretendojnë se marrëveshja nuk e mbulon Hezbollahun në Liban.

Në këtë betejë fjalësh, presidenti Donald Trump lëshon një paralajmërim tepër të fortë:

Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, me municione, armë shtesë dhe çdo gjë tjetër që është e përshtatshme dhe e nevojshme për ndjekjen dhe shkatërrimin vdekjeprurës të një armiku tashmë të degraduar në mënyrë të konsiderueshme, do të mbeten aty ku janë, brenda dhe përreth Iranit, derisa MARRËVESHJA E VËRTETË të arrihet dhe të zbatohet plotësisht. Nëse, për ndonjë arsye, nuk zbatohet, gjë që është shumë e pamundur, atëherë fillojnë të shtënat, më të mëdha, më të mira dhe më të forta se kushdo që ka parë ndonjëherë më parë.”

Presidenti amerikan përsëriti edhe një herë se nuk do të lejojë që Irani të ketë armë bërthamore apo që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e mbyllur. “Ushtria jonë e madhe po ngarkohet dhe po pushon, duke pritur me padurim, në fakt, pushtimin e saj të ardhshëm. AMERIKA ËSHTË KTHYER!”, shton më tej Trump në rrjetin social Truth.

Megjithatë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit pretendoi se transporti detar përmes ngushticës kritike të Hormuzit u ndal pas sulmit masiv të Izraelit ndaj Libanit të mërkurën.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të shkojnë në Islamabad për bisedime që fillojnë të shtunën. Delegacioni i Teheranit do të mbërrijë në Islamabad të enjten në mbrëmje, tha ambasadori i Iranit në Pakistan.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos