Nis pushtimi i qytetit të Gazës, Izraeli “vret” shtetin palestinez, ndan Bregun Perëndimor në dysh

Nga Xhevahir Qardaku
20 Gusht 2025, 15:40 | Bota

Izraeli bën një tjetër lëvizje me qëllim për të vrarë aspiratat për një shtet të Palestinës. Ministri i financave, Bezalel Smotriç, miratoi përfundimisht projektin shumë të kundërshtuar për vendbanimin “E1” në Bregun Perëndimor.

“Aprovimi i këtij megaplani izraelit përfaqëson një hap domethënës që anulon praktikisht iluzionet për dy shtete dhe konsolidon marrjen nën kontroll të zemrës së tokës së Izraelit nga populli hebre”, është shprehu ministri, sipas asaj që raportojnë mediat në Tel Aviv.

Smotriç shton se “Shteti Palestinez është fshirë nga tryeza e negociatave dhe sipas tij, ky është një fakt tashmë.

“Çdo vendbanim, çdo lagje, apo njësi banimi është një gozhdë në arkivolin e kësaj ideje të rrezikshme”, nënvizoi më tej ministri izraelit.

Sipas ekspertëve, miratimi për ndërtimin e këtij vendbanimi do të sillte ndarjen në dysh të Bregut Perëndimor, ndërsa Organizatat për të Drejtat e Njeriut e konsiderojnë një plan që shkatërron të ardhmen e një shteti të Palestinës. Diskutimet për këtë projekt kanë vazhduar për mbi 20 vite dhe lidhet me një zonë në lindje të Jerusalemit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar vazhdimisht Izraelin për këtë ide dhe kanë mbështetur zgjidhjen me dy shtete. Nëse procesi vazhdon me këto rimte, punimet në infrastrukturë mund të nisin në muajt e ardhshëm, kurse ndërtimi fillon për rreth një vit.

Plani parashikon rreth 3500 apartamente për të zgjeruar vendbanimin Maale Adumim. Smotriç prezantoi miratimin e këtij projekti si një kundërpërgjigje ndaj disa vendeve të perëndimit që njoftuan se do të njohin shtetin e Palestinës.

Përpara këtij vendimi, Izraeli ndërmori dhe një hap tjetër që vret ëndrrën e miliona palestinezëve. Ministri i mbrojtjes, Israel Katz, miratoi planin për pushtimin e qytetit të Gazës, përmes një aksioni të quajtur “Tanket e Gideonit B”, që vjen pas një operacioni precedent, po me të njëjtin emër, që rezultoi me pushtimin e 75% të territorit të Rripit të Gazës.

Mediat në Izrael shkruajnë se kjo është një përpjekje për të detyruar Hamasin që të pranojë një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Lidhur me këtë ofensivë, ushtria ka thirrur nën armë rreth 60 mijë rezervistë izraelitë, që pritet të dërgohen në qytetin e Gazës për të zbatuar urdhrat për pushtim.

Rezervistët do të njoftohen për planet e reja të paktën 2 javë përpara se të nisin shërbimin. Megjithatë,  jo të gjithë do të dërgohen në operacionin për pushtim. Disa prej tyre do të zëvendësojnë trupat izraelite në fronte të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos