Një anije me qindra tonë ushqim niset drejt Gazës

Nga A2 CNN
19 Gusht 2025, 10:31 | Bota

Një anije me qindra tonë ushqim niset drejt Gazës

Pasi u nis nga Qiproja, një anije e mbushur me 1.200 tonë furnizime ushqimore për Rripin e Gazës i është afruar portit izraelit të Ashdodit të martën, si pjesë e përpjekjeve po vazhdojnë për të lehtësuar krizën ushqimore në territorin palestinez.

Anija, e regjistruar në Panama, është ngarkuar me 52 kontejnerë me ushqime, sikurse pasta, oriz, ushqim për foshnja dhe ushqime të konservuara. Zyrtarët doganorë izraelitë kanë kontrolluar ndihmat në portin qipriot të Limasolit, prej ku anija nisi lundrimin të hënën.

Rreth 700 tonë me ndihma vijnë nga Qiproja, që janë blerë me paratë e dhuruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe përmes Fondit Amalthea, i krijuar vitin e kaluar që donatorët të ndihmojnë me ndihma detare. Pjesa tjetër e ndihmës vjen nga Italia, Qeveria e Maltës, një urdhër katolik fetar në Maltë, si dhe nga organizata joqeveritare nga Kuvajti, Asociacioni Al Salam.

Vitin e kaluar, Qiproja dërgoi 22.000 tonë ndihma përmes anijeve për në Gazë. Ndihmat u dërguan përmes një porti të operuar nga organizata bamirëse World Central Kitchen dhe ushtria amerikane.

Në fund të korrikut të vitit të kaluar, grupet e ndihmës u tërhoqën nga ky projekt, duke i dhënë fund këtij misioni për shkak të problemeve të vazhdueshme të sigurisë dhe kufizimeve se sa ndihma mund të dërgoheshin.

Qiproja tha se misioni i fundit i ndihmës udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara dhe sapo ndihma të arrijë në Ashdod, punëtorët e ndihmës të OKB-së do ta bartin ndihmën në kamionë dhe në depo apo stacione ushqimore që operohen nga World Central Kitchen.

Përmes anijeve mund të dërgohen sasi më të mëdha të ndihmës në Gazë sesa ndihmat që hidhen nga ajri, siç kanë bërë disa shtete së fundi.

Dërgesat e fundit të ndihmës vijnë një ditë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – thanë se kanë pranuar një propozim të ri nga ndërmjetësit arabë për armëpushim. Deri më tani, Izraeli nuk e ka miratuar një propozim të tillë.

Izraeli ka njoftuar për plane për të ripushtuar Qytetin e Gazës dhe zona të tjera të populluara pasi bisedimet për armëpushim u bllokuan muajin e kaluar – duke rritur shqetësimet për përkeqësimin e mundshëm të katastrofës humanitare në Gazë.

Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 62.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi – shifra që OKB-ja i konsideron të besueshme./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos