U dëmtua nga një plumb gome në sy, 28-vjeçari do të dërgohet për mjekim të specializuar në Romë

Nga A2 CNN
25 Tetor 2026, 12:10 | Aktualitet

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i cili mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, pritet të  dërgohet për një mjekim më të specializuar në Romë. Gazetarja e A2 CNN Ornela Joti raportoi për ditarin e Fundjavës me Denisa Pashollin se i riu iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale mbrëmjen e së shtunës, pas dëmtimit nga një plumb gome në sy. Aktualisht, mjekët e Spitalit të Traumës dhe specialistët e okulistikës në QSUT po konsultohen për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të trajtimit.

“Ajo që kemi mundur të mësojmë është që vijon konsulta mes mjekëve të Spitalit të Traumës dhe atij të shërbimit të okulistikës në QSUT për të arritur, në një përfundim në lidhje me gjendjen e 28- vjeçarit, i cili mbrëmjen e djeshme pas lëndimit të syrit me një plumb gome ju nënshtrua një ndërhyrje të gjatë kirurgjikale. Por ajo që kemi mundur të mësojmë nga të afërmit e tij, bëhet e ditur që ai së shpejti pritet t'i drejtohet një spitali në Romë për një ndërhyrje më të specializuar, edhe pse pritet fjala e fundit nga ekipi i mjekëve i spitalit të traumës dhe i shërbimit të okulistikës në QSUT. Miq të tij dhe të afërm thonë që gjendja e tij paraqitet e mirë dhe së shpejti pritet t'i drejtohet Romës, aty ku do t'i nënshtrohet një ndërhyrje më të specializuar”, raportoi gazetarja e A2 CNN.

Ndërkohë, pas përplasjeve të së shtunës mes protestuesve dhe policisë, 23 persona, mes tyre protestues, efektivë policie dhe përfaqësues të medias, morën ndihmë mjekësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pjesa më e madhe janë larguar nga spitalet, ndërsa 28-vjeçari vijon të jetë i shtruar.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, i cili ka paralajmëruar hetim për efektivin që dyshohet se shkaktoi dëmtimin e rëndë të të riut.

Ndërkohë sot, në ditën e 13-të të protestave, studentët e Mjekësisë pritet të nisin një marshim në orën 13:00 nga fakulteti drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa në orën 14:00 është paralajmëruar protesta e studentëve dhe të rinjve. Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre dhe kanë lidhur thirrjet e sotme me plagosjen e Erjon Vishkullit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos