“Nofulla e çeliktë” e Kinës që po tmerron Uashingtonin

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 17:38 | Bota

“Nofulla e çeliktë” e Kinës që po tmerron

Inxhinierët e Qendrës së Kërkimeve Shkencore Detare të Kinës (CSSRC) kanë prezantuar një pajisje të re, e quajtur “nofulla e çelikut”, e cila sipas ekspertëve mund të përbëjë rrezik serioz për rrjetin botëror të komunikimit. Pajisja është projektuar për të arritur në thellësitë e oqeanëve pranë rrjetit të kabllove nënujore dhe ka aftësinë t’i presë ato, duke rrezikuar të lërë pa komunikim miliona banorë.

Ky mekanizëm është i pajisur me dy nëndetëse, “Fendouzhe” dhe “Hooidou”, njëra prej të cilave është e pilotuar, me kapacitet zhytjeje deri në 4.9 kilometra. Pajisja fokusohet tek kabllot e blinduara të fibrës optike që transportojnë rreth 95% të trafikut global të internetit.

Struktura e “nofullës” është ndërtuar me aliazh titani për të përballuar presionin ekstrem të thellësisë dhe përmban një rrotë diamanti që rrotullohet deri në 1.600 rpm, e aftë të presë çelikun. Gjithashtu, ajo është e pajisur me krahë robotikë të komanduar nga sinjale akustike dhe vizuale, që e mbajnë të qëndrueshme edhe në kushte të rënda nënujore, shkruan A2 CNN.

Zyrtarisht, Kina e paraqet këtë mjet si ndihmë për shpëtim, miniera detare dhe mirëmbajtje infrastrukture. Megjithatë, aftësia e tij për të depërtuar pranë kabllove strategjike që lidhin kontinentet dhe bazat e mbrojtjes amerikane ka ngritur shqetësime në Uashington.

Testet e para kanë treguar se pajisja mund të presë kabllo deri në 6 centimetra trashësi, duke shtuar edhe më shumë frikën për përdorimin e saj si armë gjeopolitike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos