Amerika dhe Irani bëjnë paqe… por vetëm për dy javë. Si Presidenti Donald Trump ashtu edhe Teherani e kanë portretizuar marrëveshjen e armëpushimit të minutës së fundit si një fitore për kombet e tyre.
“Një ditë e madhe për paqen botërore! Irani dëshiron që kjo të ndodhë, ata nuk munden më të vazhdojnë! Po ashtu, edhe të gjithë të tjerët! Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë me zhbllokimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive! Do të bëhen shumë para. Irani mund të fillojë procesin e rindërtimit. Ne do të furnizohemi me të gjitha llojet e materialeve dhe thjesht do të “qëndrojmë aty rrotull” për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Ashtu siç po përjetojmë në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme!!!”, tha Trump.
Armëpushimi ndalon një konflikt që mund të kishte përjetuar natën më vendimtare dhe që ka përmbysur ekonominë globale duke shkaktuar një krizë historike të naftës. Ministri i Jashtëm i Iranit tha se ushtria e Iranit do të koordinojë kalimin e anijeve nëpër Ngushticën kritike të Hormuzit gjatë armëpushimit, shkruan A2.
Trump njoftoi se rihapja e ngushticës ishte një kusht kyç i marrëveshjes së armëpushimit. Kryeministri i Pakistanit ka ftuar delegacione nga Irani dhe SHBA-ja në Islamabad për bisedime të premten. Më herët të martën, Pakistani propozoi armëpushimin dyjavor për të lejuar diplomacinë të vepronte.
Izraeli përshëndeti paktin mes Uashingtonit dhe Teherani duke premtuar se do të pezullonte sulmet kundër Iranit, por pretendoi se Libani nuk ishte pjesë e armëpushimit, sipas zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Megjithatë Pakistani konfirmon se edhe Libani është pjesë e marrëveshjes. (A2 Televizion)