Nuk ndalet masakra në Gaza, mbi 118 palestinezë të vrarë gjatë 24 orëve të fundit

Nga A2 CNN
3 Korrik 2025, 17:39 | Bota

Të paktën 118 palestinezë janë vrarë dhe 581 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në të gjithë Rripin e Gazës në 24 orët e fundit.

Këto përfshijnë 12 persona të vrarë dhe 49 të plagosur në qendrat e ndihmës të mbështetura nga SHBA-të dhe Izraeli, duke e çuar numrin total të të vrarëve në 652. Më shumë se 4,537 të tjerë janë plagosur që kur mekanizmi i ri hyri në fuqi më 27 maj, tha ministria.

Sakaq bëhet e ditur se Hamasi po kërkon garanci se një propozim i ri i SHBA-së për armëpushim për Gazën do të çojë në fundin e luftës, tha të enjten një burim pranë grupit militant, ndërsa mjekët thanë se sulmet izraelite në të gjithë territorin kishin vrarë dhjetëra njerëz të tjerë, citon Reuters. 

Zyrtarët izraelitë thanë se perspektivat për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe marrëveshjeje për pengjet dukeshin të larta, gati 21 muaj që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

Përpjekjet për një armëpushim në Gaza janë shtuar pasi SHBA-të siguruan një armëpushim për t'i dhënë fund një konflikti ajror 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit, por në tokë në Gaza sulmet e intensifikuara izraelite vazhduan të pandërprera, duke vrarë të paktën 59 persona të enjten, sipas autoriteteve shëndetësore në territor.

Hamasi po kërkon garanci të qarta se armëpushimi përfundimisht do të çojë në fundin e luftës, tha burimi pranë grupit. Dy zyrtarë izraelitë thanë se këto detaje ishin ende duke u përpunuar. Përfundimi i luftës ka qenë pika kryesore e ngërçit në raundet e përsëritura të negociatave të dështuara.

Burime të sigurisë egjiptiane thanë se ndërmjetësit egjiptianë dhe katarianë po punonin për të siguruar garancitë amerikane dhe ndërkombëtare se bisedimet për përfundimin e luftës do të vazhdonin si një mënyrë për të bindur Hamasin të pranonte propozimin e armëpushimit dy-mujor.

Një burim i veçantë i njohur me çështjen tha se Izraeli po priste përgjigjen e Hamasit deri të premten dhe se nëse do të ishte pozitive, një delegacion izraelit do t'u bashkohej bisedimeve indirekte për të çimentuar marrëveshjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos