Administrata Trump ka paralajmëruar Gjermaninë dhe Francën të çlirojnë rezervat e tyre të naftës dizel të emergjencës, me qëllim lehtësimin e çmimeve globale të karburanteve. Në të kundërt, ato mund të përballen me një ndalim të mundshëm të eksporteve amerikane të dizelit.
Kështu bëjnë më dije 3 zyrtarë me dijeni mbi çështjen për agjencinë e lajmeve Reuters. Ky paralajmërim shënon një përshkallëzim të presionit ndaj Evropës, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e ndalimit të eksporteve të dizelit për të ulur çmimet e karburanteve në SHBA, përpara zgjedhjeve të mesit te mandatit në muajin nëntor.
“Është në interesin më të mirë të Evropës që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara, ndërsa ne ndjekim disa rrugë për të rritur furnizimin me produkte të rafinuara të naftës dhe për të ulur kostot për konsumatorët”, citohet të ketë thënë zyrtari i SHBA, përcjell A2 CNN.
Administrata amerikane ka qenë veçanërisht e pakënaqur me Francën dhe Gjermaninë, për të cilat zyrtarët amerikanë besojnë se nuk i kanë përmbushur plotësisht angazhimet e mëparshme për të çliruar rezervat e naftës.
Një burim i dytë, me bazë në një kryeqytet evropian, tha se SHBA i ka kërkuar Bashkimit Evropian të nxjerrë në treg 120 milionë fuçi naftë dizel gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright deklaroi për gazetarët të mërkurën se administrata amerikane priste që Evropa të bënte së shpejti njoftime për rritjen e furnizimeve me dizel.
Evropa është bërë gjithnjë e më e varur nga karburantet amerikane, pasi ndaloi importet nga Rusia pas luftës në dhe pasi lufta SHBA-Izrael kundër Iranit ndërpreu furnizimet nga Lindja e Mesme. (A2 Televizion)