Një mësues trombe... në një çast jeta që iu shemb... Një përplasje tragjike nga treni i mori të katërt gjymtyrët dhe i la plagë të thella fizike e shpirtërore. “Unë jam me të katër gjymtyrët me proteza” tregon për A2 CNN Izet Onuzi, Shoqata Kombëtare “Shpresa Për Jetën”.
Pasi kaloi vite të tëra mes dhimbjes dhe traumës, duke luftuar me vetminë dhe frikën për të ardhmen, plagën e vet Izeti e ktheu në forcë për të tjerët. "Shpresa për Jetën" është kthyer sot në një hapësirë ku njerëzit të gjejnë jo vetëm proteza, por edhe shpresë.
“Arritjen time më të madhe unë e quaj nëse pranë kësaj qendre marrin shërbim sa më shumë persona, dhe ata persona që janë shumë në nevojë dhe nuk kanë mundësi ekonomike e financiare për t’i përballuar shpenzimet. Të gjithë ata persona shumë të vuajtur që nuk kanë asnjë mundësi të ngrihen në këmbë, që edhe këta pse mos të lëvizin, të integrohen në jetë, të krijojnë jetën e tyre dhe pse jo të punojnë sadopak që të kenë të ardhura për të krijuar dhe mbajtur familjen e tyre”, thotë Onuzi.
Sot, qendra e tij ka ndihmuar mbi 300 perosna, ndërsa bashkëpunimet me fondacione e ambasada kanë bërë të mundur qindra raste të tjera suksesi. “Ne e shohim çdo ditë se sa shumë ndryshon jeta e një personi kur ai merr pajisjen e duhur. Nuk është thjesht një protezë, por mundësia për të rifituar pavarësinë, për të dalë nga shtëpia dhe për t’u kthyer gradualisht në jetën e përditshme”, thotë Onuzi.
Sigurisht, rruga nuk ka qenë e lehtë. Vështirësitë financiare, mungesa e mbështetjes institucionale dhe kostot e larta për pajisje moderne janë pengesa të përhershme. Këtë boshllëk e ka mbushur ambasada e Japonisë.
“Kur erdha këtu, ajo që më duhej më shumë ishte të besoja se mund të bëja përsëri gjëra që i kisha menduar të pamundura. Ndihma që mora nuk ishte vetëm për pajisjen, por edhe për mënyrën se si të mësoja ta përdorja dhe të përshtatesha me jetën e re”, tregon një pacient.
Nga një aksident që mund ta kishte shkatërruar përfundimisht, Izeti ngriti një qendër shprese për të gjithë ata që përballen me humbje të ngjashme. Në thelb, jeta e tij është një thirrje për të parë përtej kufizimeve dhe për të njohur potencialin që çdo njeri mbart brenda vetes me mbështetjen e ambasadës japoneze. (A2 Televizion)