Ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan, është dënuar me 10 vjet burg me akuzën e nxjerrjes së sekreteve shtetërore. Khan, i cili u rrëzua nga kundërshtarët e tij si kryeministër në vitin 2022, tashmë po vuan një dënim prej tre vitesh burg, pasi u dënua për korrupsion. Ai i ka quajtur të motivuara politikisht të gjitha akuzat ndaj tij.
Dënimi vjen një javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në të cilat atij i ndalohet të kandidojë.
Me 10 vjet burg, gjykata speciale e Pakistanit dënoi edhe ish-ministrin e Jashtëm, Shah Mahmood Qureshi, për rrjedhje të supozuar të korrespondencës sekrete diplomatike të dërguar nga ambasadori i Pakistanit në Uashington në Islamabad kur Khan ishte kryeministër.
Ajo lidhet me paraqitjen e tij në një tubim në mars 2022, një muaj përpara se ish-lojtari i kriketit të rrëzohej nga pushteti në një votim mosbesimi. Imran Khan u shfaq në skenë, duke tundur një copë letre që ai thotë se tregonte një komplot të huaj kundër tij.
Ai tha se "të gjitha do të falen nëse Imran Khan largohet nga pushteti". Ai nuk e përmendi emrin e vendit, por ishte shumë kritik ndaj Shteteve të Bashkuara.
Prokuroria tha se veprimet e zotit Khan përbënin zbulimin e një dokumenti të klasifikuar dhe dëmtimin e marrëdhënieve diplomatike. Akuza e fundit mund të çojë në burgim të përjetshëm apo edhe me vdekje.
Çështja është dëgjuar gjatë muajve të fundit në një gjykatë speciale të ngritur brenda burgut ku z. Khan është mbajtur që nga gushti.
Partia PTI e Khan tha se do të kundërshtonte vendimin e gjykatës dhe e quajti atë një tallje.
Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 8 shkurt, mes akuzave se PTI po pengohet nga autoritetet të bëjë fushatë. Zoti Khan po lufton shumë çështje të tjera ligjore. (A2 Televizion)