OBSH-ja ngre alarmin: Adoleshentët në rrezik nga konsumimi i alkoolit, cigareve elektronike dhe drogave

Nga A2 CNN
26 Prill 2024, 11:27 | Bota

OBSH-ja ngre alarmin: Adoleshentët në rrezik nga konsumimi i alkoolit,

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për konsumimin e alkoolit, cigareve elektronike dhe kanabisit tek të rinjtë europianë. Në raportin e fundit të OBSH-së është shqetësues përdorimi i substancave nga adoleshentët ku mbi gjysma e pesëmbëdhjetë vjeçarëve nga 280 mijë të intervistuar kanë eksperimentuar me alkool dhe 1 në 5 kanë përdorur së fundmi cigare elektronike.

Paralajmërim për alkoolin

Ekziston gjithashtu një reduktim i hendekut gjinor në përdorimin e substancave dhe OBSH thekson nevojën për strategji parandaluese. Pasojat afatgjata të këtyre tendencave, paralajmëron organizata, "janë domethënëse dhe politikëbërësit nuk mund të lejojnë t'i injorojnë këto gjetje alarmante". Alkooli është substanca e konsumuar më shpesh, ku 57% e 15-vjeçarëve e kanë provuar të paktën një herë dhe gati 4 në 10 (37%) tregojnë se kanë konsumuar alkool në 30 ditët e fundit. Rreth 1 në 10 adoleshentë (9%) në të gjitha grupmoshat kanë përjetuar dehje të konsiderueshme, pasi kanë qenë të dehur të paktën dy herë gjatë jetës së tyre, një normë që rritet në mënyrë alarmante nga 5% në moshën 13 vjeç në 20% në moshën 15 vjeç, duke treguar një tendencë në rritje të abuzimit me alkoolin tek të rinjtë.

Këto gjetje "theksojnë se sa i disponueshëm dhe i normalizuar është alkooli, duke treguar nevojën urgjente për masa më të mira politike për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga dëmtimi i shkaktuar nga substanca."

Konsumimi i cigareve elektronike

Cigaret elektronike kanë tejkaluar ato konvencionale në popullaritet, me 32% të 15-vjeçarëve që raportojnë se i kanë përdorur ato dhe 20% në 30 ditët e fundit (kundrejt 25% të 15-vjeçarëve që kanë pirë një cigare konvencionale gjatë jetës së tyre).

“Ky tranzicion drejt cigareve elektronike si një zgjedhje më popullore mbi cigaret konvencionale kërkon ndërhyrje të synuara për të adresuar këtë shqetësim të shëndetit publik, duke përfshirë veprimin kundër vendosjes së produkteve të dëmshme në video lojëra, programe argëtimi dhe përmbajtje të tjera që synojnë të rinjtë përmes platformave multimediale”, thotë OBSH.

Sa i përket konsumit të kanabisit, ka një rënie të lehtë, me përqindjen e pesëmbëdhjetëvjeçarëve që e kanë përdorur atë nga 14% në 2018 në 12% në 2022.

“Konsumi i hershëm i kanabisit mund të çojë në varësi dhe modele problematike të pijes më vonë në jetë. Përpjekjet parandaluese që synojnë adoleshentët janë kritike për të zbutur këto rreziqe dhe për të promovuar zgjedhje të shëndetshme”, nënvizon OBSH.

Dallimi në përdorimin e substancave midis gjinive, zbulon gjithashtu anketa, "po ngushtohet me shpejtësi, me vajzat që barazojnë ose tejkalojnë djemtë në normat e pirjes së duhanit, përdorimit të alkoolit dhe përdorimit të cigareve elektronike deri në moshën 15 vjeçare".

Prandaj OBSH propozon një sërë masash për të reduktuar përdorimin e substancave tek të rinjtë: rritje e akcizës; kufizimi i disponueshmërisë së produkteve të nikotinës, duhanit dhe alkoolit, për shembull duke reduktuar oraret ose vendet e shitjes dhe duke zbatuar moshat minimale ligjore për blerjen e produkteve të tilla; ndalimi i të gjithë agjentëve aromatizues në nikotinë dhe produktet e duhanit; të vendosë një ndalim total të reklamave dhe sponsorizimeve në kanalet e komunikimit dhe mediat sociale.

"Produkte toksike dhe të rrezikshme"

“Përdorimi i gjerë i substancave të dëmshme në mesin e fëmijëve në shumë vende të rajonit evropian dhe më gjerë, paraqet një kërcënim serioz për shëndetin publik – thotë Hans Henri P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Evropën.

“Duke marrë në konsideratë që truri vazhdon të  zhvillohet edhe pas moshës 25-vjeçare, adoleshentët duhet të mbrohen nga efektet e produkteve toksike dhe të rrezikshme. Fatkeqësisht, sot fëmijët janë të ekspozuar vazhdimisht ndaj marketingut të synuar në internet të produkteve të dëmshme”, thekson ai.

“OBSH në Evropë po punon me vendet për të siguruar që të gjithë të rinjtë të kenë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë. Kjo do të thotë t'i mbrosh ata nga produktet toksike dhe të varura, të cilat mund të rrezikojnë cilësinë e jetës së tyre për vitet në vazhdim". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos