Për kandidatin republikan në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump, aksioni është zhvendosur nga tubimet elektorale, në gjykatat rreth Amerikës.
Gjykata e Lartë shqyrtoi të enjten kërkesën e ish-Presidentit për të shmangur ndjekjen penale, lidhur me akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor në 2020. Avokatët e Trump argumentuan se ish-presidentët gëzojnë imunitetit absolut për veprimet e tyre, ndërsa janë në detyrë. Në të kundërt, thonë ata, ndjekjet penale të motivuara politikisht ndaj ish-presidentëve mund të bëheshin rutinë dhe presidentët nuk do të mund të përmbushnin detyrat e tyre si komandant të përgjithshëm nëse do të shqetësoheshin se mund të përballeshin me akuza penale.
Por, gjykatat më të ulëta i kanë hedhur poshtë argumentet. Të paktën pesë prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë duket se do të refuzojnë pretendimin për imunitet absolut, por disa sugjeruan gjithashtu se ish-presidentët mund të gëzojnë njëfarë imuniteti.
Ende nuk është përcaktuar se kur do të merret vendimi, por Trump shpreson të vijë sa më vonë, në mënyrë që gjyqi të shtyhet pas zgjedhjeve. (A2 Televizion)