
Ky dron i lëshuar nga Rusia godet kishën e Shën Andreas të shekullit të 17-të, pjesë e UNESCO-s. Rreth 1 mijë të tillë u lëshuan në mbarë Ukrainën në 24 orët e fundit, në sulmin më të madh ndonjëherë të ushtrisë së Putinit që prej nisjes së luftës në shkurt të 4 viteve më parë.
Mbi 40 të plagosur, përfshirë fëmijë, dhe disa viktima raportohen nga ushtria e Kievit. Por, lufta ka kaluar kufirin e Ukrainës duke depërtuar brenda NATO-s, shkruan A2.
Një dron rus hyri në territorin estonez dhe u përplas në një oxhak në termocentralin Auvere, vetëm pak kilometra larg kufirit rus. Shërbimi i Sigurisë së Brendshme në Talin konfirmoi incidentin pas raportimeve nga mediat. Askush nuk u lëndua dhe shkalla e dëmit është e paqartë, megjithëse mendohet se nuk është prekur ndonjë infrastrukturë elektrike. Thuhet se edhe drone të tjerë kanë hyrë në hapësirën ajrore letoneze gjatë natës.
Arvis Zile, zv/shef i Shtabit, Ushtria e Letonisë, shprehet: “Në këtë pikë, do të preferoja të mos spekuloja ose të emëroja vendin e origjinës së dronit. Siç e përmenda, ushtarët dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme po punojnë aktualisht për të mbledhur mbetjet dhe provat e dronit”.
Kryeministrja letoneze, Evika Silina, sqaroi se informacionet paraprake sugjerojnë se një dron ukrainas mund të ketë hyrë dhe të jetë rrëzuar në territorin e shtetit të saj. Ndërkohë, dhe Kievi nuk ka qëndruar duarkryq. Ukraina ka dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike të qytetit rus të Belgorodit me bombardimet e saj. “Furnizimi me energji elektrike, ujë dhe ngrohje u ndërpre.
Shkalla e saktë e dëmit do të vlerësohet në orët në vijim”, njoftoi guvernatori. Ndërkohë, Rusia mbetet në kontakt me Shtetet e Bashkuara mbi një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë dhe shpreson që Uashingtoni do të vazhdojë përpjekjet e tij të ndërmjetësimit.
Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Gazeta Vedomosti raportoi më herët të mërkurën, duke cituar burime, se një delegacion ligjvënësish rusë nga Duma Shtetërore pritet të vizitojë SHBA-në në të ardhmen e afërt. (A2 Televizion)