Përfaqësuesi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Siri, Gonzalo Vargas Llosa, ka deklaruar se 16 milionë njerëz në Siri kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare.
Ai tha për BBC World Service se luftimet e fundit në rajon kanë shkaktuar zhvendosjen e 800,000 sirianëve. Përpara kësaj, 7 milionë sirianë ishin zhvendosur brenda vendit, ndërsa më shumë se 5 milionë ishin larguar në shtetet fqinje dhe më tej.
Llosa theksoi se situata humanitare është shumë e vështirë, me nevoja urgjente dhe shumë zhvendosje të detyruara të popullsisë. Ai përmendi se operacionet humanitare të UNHCR-së në zona të prekura nga lufta si Homs, Hama dhe Damask janë duke rifilluar ngadalë. "Çdo hapësirë që bëhet e sigurt, ne menjëherë shkojmë me partnerët tanë për të mbushur atë boshllëk humanitar," shtoi Llosa.
Ky apel vjen në një kohë kur Siria vazhdon të përballet me një krizë të thellë humanitare, duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për t'u ofruar mbështetje miliona njerëzve të prekur nga lufta dhe krizë. Pas rrëzimit të Assad, Mohamed al Bashir u emëruar kryeministër i përkohshëm. (A2 Televizion)