
Tre nëndetëse ruse kanë kryer një operacion “të fshehtë” mbi kabllot dhe tubacionet në ujërat veriore të Mbretëria e Bashkuar, deklaroi Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, raporton A2CNN.
Një anije luftarake dhe avionë britanikë u dislokuan për të penguar atë që u cilësua si aktivitet “i dëmshëm” nga Rusia. Sipas Healey, nuk ka “asnjë provë” për dëmtime të infrastrukturës britanike në Atlantik.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit rus Vladimir Putin, ai deklaroi: “Ne ju shohim. Ne e ndjekim aktivitetin tuaj mbi kabllot dhe tubacionet tona, dhe duhet ta dini se çdo përpjekje për t’i dëmtuar ato nuk do të tolerohet dhe do të ketë pasoja të rënda.”
Mbretëria e Bashkuar varet ndjeshëm nga kabllot dhe tubacionet nënujore për transmetimin e të dhënave dhe furnizimin me energji. Rreth 60 kabllo nënujore dalin në breg në pika të ndryshme përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në Anglinë Lindore dhe atë Jugperëndimore.
Më shumë se 90% e trafikut ditor të internetit në vend kalon përmes këtyre kabllove. Healey theksoi gjatë një konference për shtyp në Downing Street se Rusia kishte dërguar një nëndetëse të klasit Akula si taktikë diversioni, ndërsa dy nëndetëse spiune të njësisë GUGI kryen mbikëqyrjen e kabllove.
Sipas tij, nëndetësja e klasit Akula u largua shpejt nga ujërat britanike dhe u kthye në Rusi pasi u monitorua, ndërsa dy nëndetëset e tjera mbetën në zonë.
(A2 Televizion)