Orizi “i ha kokën” ministrit japonez të Bujqësisë

Nga A2 CNN
21 Maj 2025, 13:17 | Bota

Orizi “i ha kokën” ministrit japonez të

Ministri i Bujqësisë në Japoni ka dhënë dorëheqjen, pas reagimeve të forta ndaj deklaratës së tij të fundit, ku tha se nuk blen kurrë oriz sepse e merr atë falas.

Deklarata e Taku Etos zemëroi opinionin publik, pasi çmimet e ushqimeve në vendin e tij janë rritur ndjeshëm dhe shumë qytetarë po hasin vështirësi për të siguruar jetesën.

Dorëheqja e ministrit rrit presionin mbi kryeministrin Shigeru Ishiba, i cili tashmë po përballet me kritika të ashpra për dështimin e tij për të frenuar rritjen e çmimeve të orizit dhe për të adresuar krizën e përgjithshme ushqimore që prek qytetarët.

"Sapo ia kam paraqitur dorëheqjen time Kryeministrit Ishiba", u tha Eto gazetarëve nga zyra e kryeministrit.

Më herët këtë vit, Eto tha se i kuptonte "vështirësitë" e konsumatorëve, pas vendimit të qeverisë në fillim të këtij viti për të liruar rreth 300,000 ton oriz nga rezervat e emergjencës në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve.

Megjithatë, duke folur në një aktivitet për mbledhjen e fondeve fundjavën e kaluar, ai u shpreh se nuk ka blerë kurrë oriz vetë, "sepse mbështetësit e tij i dhurojnë sasi kaq të mëdha saqë i dalin edhe për të shitur".

Deklarata e Eto-s shkaktoi zemërim tek konsumatorët, pasi çmimi i një qeseje me oriz pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar , sipas të dhënave të prillit.

"Pyesja veten nëse ishte e drejtë që unë të qëndroja në krye të Ministrisë së Bujqësisë në një kohë kaq kritike për çmimet e orizit dhe arrita në përfundimin se nuk duhej", tha ministri sot, duke njoftuar dorëheqjen e tij.

"U kërkoj falje edhe një herë qytetarëve për deklaratat e mia jashtëzakonisht të papërshtatshme, në një kohë kur ata po luftojnë me çmimet e larta të orizit", nënvizoi ai.

Eto u zëvendësua sot nga Shinjiro Koizumi, një ish-ministër i Mjedisit i cili kishte kundërshtuar pa sukses udhëheqjen e partisë në pushtet LDP kundër Ishibës vjeshtën e kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos