Pa energji elektrike dhe karburant, 39 foshnja në rrezik vdekjeje në spitalin Al-Shifa të Gazës

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2023, 15:44 | Bota

Pa energji elektrike dhe karburant, 39 foshnja në rrezik vdekjeje në

Pacientët dhe stafi në Spitalin Al-Shifa në Gaza, i cili ndodhet në zemër të luftimeve midis Forcave të Armatosura izraelite (IDF) dhe Hamasit, gjenden në pozita gjithnjë e më të këqija.

Zyrtarët palestinezë thonë se një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë në rrezik sepse spitali, më i madhi në Rripin e Gazës, ka mbetur pa energji elektrike.

Ndërkohë, trupat izraelite janë mbyllur në spital, për të cilin Izraeli thotë se është një qendër komanduese e Hamasit. Luftimet, shton Sky News, pranë spitalit dhe në zona të tjera të Gazës veriore janë intensifikuar dhe furnizimet kanë mbaruar.

Një zëdhënës i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza tha se një foshnja e porsalindur nuk mundi të mbijetonte pas përfundimit të karburantit që siguronte energji për pajisjet e spitalit.  

Më pas, të gjitha operacionet në godinë u pezulluan.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të spitaleve të Gazës, dhjetëra foshnja të tjera janë në rrezik.

“Tani ndodhen 39 foshnje në repartin e kujdesit intensiv neonatal, njëri prej tyre vdiq pak minuta më parë dhe pjesa tjetër po luftojnë me vdekjen”, tha Dr. Mohamed Zakout.

Më tej ai shtoi: "Në reanimacion janë edhe 40 të lënduar, njërin prej tyre e kemi humbur në orën e parë të errësirës. Askush nuk mund të hyjë apo të dalë nga spitali, kështu që të lënduarit jashtë spitalit nuk do të gjejnë vend ku të trajtohen.”

Izraeli, nga ana e tij, beson se Hamasi përdor pacientët dhe personelin si mburoja për objektet e tij që janë thellë nën sipërfaqen e tokës. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar gjithashtu se përgjegjësia për çdo dëm ndaj civilëve në Gaza bie mbi Hamasin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos