Aeroporti Ndërkombëtar i Hamburgut ndërpreu të gjithë operacionet mbrëmjen e së shtunës pasi një person i armatosur hyri me forcë në ambientet e pistës, duke shkaktuar një alarm tek autoritetet dhe panik te pasagjerët.
Autori u mbyll brenda makinës së parkuar përpara terminalit të aviacionit të përgjithshëm, duke mbajtur peng 2 fëmijët e tij në bord dhe vijon të qëndrojë aty.
Policia bën me dije se bëhet fjalë për një “dramë familjare”, teksa shton se brenda makinës janë dëgjuar dhe të shtëna me armë. Makina u ndal në pistë, pranë një avioni pasagjerësh të Turkish Airlines i cili u evakuua. Burri ka hedhur dhe dy bomba molotov, të cilat fatmirësisht nuk shkaktuan asnjë dëm.
Gruaja e agresorit kishte kontaktuar më parë policinë për të denoncuar një rrëmbim fëmijësh. Aeroporti u evakuua për siguri. Shkak për ngjarjen mendohet të jetë një mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijëve. (A2 Televizion)