Edhe këtë javë, marrëveshja mes Amerikës dhe Iranit bëhet javën tjetër. Presidenti Donald Trump bëri me dije se janë pranë një pakti për zgjatjen e armëpushimit dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Në një intervistë me ABC, ai shton se një marrëveshje paqeje mund të jetë më e mirë se një fitore ushtarake. “Duket sikur po shkon mirë”, nënvizon ai. “Sot pati një pengesë të vogël, por e zgjidha shumë shpejt”, tha presidenti. Trump më tej shpjegoi se “nuk është diçka e lehtë për Iranin”, pasi “po flasim për një vend vërtet të madh”, ndërsa nënvizoi se në fakt, nuk është e lehtë as nga perspektiva Amerikane. “Por po marrim atë që duhet të marrim”, u shpreh ai me bindje.
Më pas në Truth Social kaloi në sulmet ndaj mediave. “Edhe nëse Irani do të mposhtej qartë, shtypi armiqësor do ta portretizonte atë si një fitore”, argumenton Presidenti i SHBA-së në një postim. “Nëse Irani dorëzohet, pranon se Marina e tij është zhdukur dhe shtrihet në fund të detit, dhe se Forcat e tij Ajrore nuk janë më me ne”, shkruan Trump, “dhe nëse e gjithë Ushtria e tij marshon nga Teherani, me armë në tokë dhe duar të ngritura, secila duke bërtitur 'Unë dorëzohem, unë dorëzohem' ndërsa valëvit flamurin e bardhë me egërsi, dhe nëse e gjithë udhëheqja e saj e mbetur nënshkruan të gjitha 'Dokumentet e Dorëzimit' të nevojshme, dhe pranon humbjen e saj përballë fuqisë së madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës madhështore, New York Times i falimentuar, China Street Journal (WSJ), CNN i korruptuar dhe tani i parëndësishëm, dhe të gjithë anëtarët e tjerë të mediave të lajmeve të rreme do të shkruajnë se Irani arriti një fitore mjeshtërore dhe të shkëlqyer ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trump sulmon edhe demokratët duke i quajtur “të çmendur”.
Ndërkohë, Irani ende nuk i është përgjigjur marrëveshjes përfundimtare të propozuar me Shtetet e Bashkuara, që synon t'i japë fund konfliktit midis dy vendeve, dhe diskutimet mbi tekstin përfundimtar janë ende duke vazhduar në Teheran, tha një burim pranë ekipit negociator iranian për Mehr News. Burimi tha se Irani po e shqyrton propozimin me kujdes për shkak të asaj që e sheh si një histori të mosbesimit të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara. (A2 Televizion)