Parisi "paralizohet" nga protestat, ultimatumi i kryeministrit: Trajtoni kërkesat e nxënësve

Nga Erjon Dervishi
6 Tetor 2026, 15:07 | Bota

Nxënësit francezë vazhduan bllokadat e shkollave të mesme dhe dolën përsëri në rrugë të martën e 6 tetorit, në kuadër të një dite protestash mbarëkombëtare në mbështetje të lëvizjes së udhëhequr nga të rinjtë, të cilët kërkojnë që qeveria e Presidentit Emmanuel Macron – e cila përballet me mungesë fondesh – të marrë masa për shkollat e amortizuara dhe me mungesë personeli.

Nxënës adoleshentë, përfshirë ata të shkollave publike e private dhe të klasave përgatitore, qëndruan pas barrikadave të improvizuara me kosha plehrash para shkollave në Paris dhe Strasburg.

“Për ne, kjo bëhet para së gjithash në mbështetje të nxënësve të shkollave të mesme që nisën bllokadat pak ditë më parë. Mendoj se të gjithë kemi një rol për të luajtur në këtë lëvizje dhe, sa më të shumtë të jemi, aq më shumë do të dëgjohemi. Gjithashtu, mendoj se kjo nuk është një betejë e një grupi të vogël njerëzish, por një betejë më e gjerë për rininë”, tha Hugo Vetzel, student i klasave përgatitore.

Demonstratat e së martës pasojnë dy javë protestash që nisën në periferitë e varfra të Parisit, për t'u përhapur më pas në të gjithë vendin. Qeveria reagoi duke angazhuar policinë e rendit, me pretendimin se lëvizja kishte degjeneruar në dhunë urbane. Kryeministri Sebastien Lecornu u ka kërkuar ministrave të tij të trajtojnë kërkesat kryesore të nxënësve. Këto përfshijnë sigurimin e zëvendësimit të mësuesve që mungojnë, rishikimin e orarit të gjatë shkollor (nga ora 08:00 deri në 18:00) dhe nevojën për pushime më të gjata për drekën. Qeveria do të shqyrtojë gjithashtu riparimet e nevojshme në ndërtesat e vjetruara të shkollave, tha Lecornu, i cili u kërkoi ministrave të dorëzojnë propozimet e tyre të para deri në fund të tetorit.

Protestat kanë shtuar presionin mbi qeverinë, e cila po përpiqet të ulë deficitin buxhetor në rritje të shpejtë, ndërkohë që shqetësimet e investitorëve për borxhin në rritje të Francës, rritjen e dobët ekonomike dhe hezitimin për të frenuar shpenzimet, po çojnë në rritjen (normave të kthimit) të obligacioneve. Javën e kaluar, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të Francës arriti për pak kohë nivelin më të lartë në 24 vitet e fundit, duke kaluar shifrën 5%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos