Organizata Trump, kompania familjare e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të bashkëpunojë me një zhvillues rumun të pasurive të paluajtshme, SDC Imobiliare, për të ndërtuar një kompleks kullash luksoze në zemër të kryeqytetit rumun, Bukuresht.
“Trump Tower Bucharest do të zhvillohet në zemër të një prej tregjeve më dinamike dhe në rritje të Europës Lindore, duke sjellë banesa premium nën markën Trump në këtë rajon,” thuhej në deklaratën e përbashkët të kompanive.
Megjithëse nuk janë dhënë ende detaje për vendndodhjen specifike apo datën e nisjes së punimeve, projekti sinjalizon një angazhim të fuqishëm të familjes Trump në Europën Qendrore dhe Lindore, pavarësisht tensioneve politike që kanë përfshirë Rumaninë muajt e fundit.
Sipas një njoftimi zyrtar, kompania do të bashkëpunojë me grupin rumun të pasurive të paluajtshme për të ndërtuar Kullën Trump në Bukuresht. Kushtet e marrëveshjes nuk u zbuluan. Sipas Bloomberg, sipërmarrja e re vjen përveç planit të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Trump, për një projekt të ngjashëm në Beograd.
Trump Organization është në fazat përfundimtare të negociatave për ndërtimin e një resorti luksoz edhe në Shqipëri, konkretisht në ishullin e Sazanit, në brigjet e Vlorës.
Projekti pritet të përfshijë një kombinim të vilave private, marina për jahte, dhe një hotel me pesë yje nën markën "Trump International". (A2 Televizion)