
Thuajse në të njëjtën kohë kur Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota pro dhe 36 kundër miratoi projektligjin e shumë diskutuar e kundërshtuar për barazinë gjinore, Gjykata e Lartë Amerikane ka lejuar administratën e presidentit Donald Trump të zbatojë rregullin e ri që kërkon që shenja e gjinisë në pasaportat amerikane të përputhet me gjininë biologjike të mbajtësit të saj. Vendimi përbën një goditje për komunitetin transgjinor dhe jobinar, i cili e konsideron këtë politikë si shkelje të të drejtave kushtetuese.
Në urdhrin e saj, Gjykata Supreme theksoi se shënimi i gjinisë në lindje “nuk bie ndesh me parimet e mbrojtjes së barabartë”, duke e cilësuar si “fakt historik” dhe jo diskriminim. Ndërkohë, gjykatësja liberale Ketanji Broën Jackson e quajti vendimin “një shmangie të pajustifikuar nga parimet bazë të drejtësisë”, shkruan A2 CNN.
Organizata ACLU reagoi ashpër, duke e cilësuar vendimin si “zemërthyes” dhe duke paralajmëruar se ai rrit rrezikun që personat trans të përballen me dhunë dhe ngacmime gjatë udhëtimeve ndërkombëtare.
Rregulli i ri anulon ndryshimet e bëra gjatë presidencës së Joe Biden, kur u lejohej qytetarëve të zgjidhnin edhe opsionin “X” për gjininë, një mundësi për personat transgjinor dhe jobinar.
Kjo është hera e dytë që Gjykata e Lartë mban në fuqi një politikë të administratës Trump që ndikon drejtpërdrejt komunitetin trans, pas vendimit të mëparshëm për ndalimin e shërbimit të personave transgjinorë në ushtri. Vendimi aktual është i përkohshëm, por shënon një tjetër fitore ligjore për presidentin Trump në agjendën e tij konservatore. (A2 Televizion)
