Në kryeqendrën politike amerikane, gjithçka ka ngrirë prej më shumë se 36 ditësh, një rekord absolut. Bëhet fjalë për krizën më të rëndë të Kongresit, ndërsa mosmarrëveshja për buxhetin po rrezikon të mbyllë dhe qiellin. Sekretari i Transportit i SHBA-së, Sean Duffy, ka paralajmëruar se kapaciteti i udhëtimit ajror do të ulet deri në 10% në 40 aeroporte kryesore gjatë ditëve në vijim, nëse mbyllja e qeverisë vazhdon.
Vendimi, i cili pritet të ndikojë vetëm në fluturimet e brendshme, u mor sepse kontrollorët e trafikut ajror kishin raportuar lodhje, tha kreu i Administratës Federale të Aviacionit në një konferencë për shtyp së bashku me Duffy-n, shkruan A2 CNN.
“Jam i shqetësuar për ndërprerjen e udhëtimit të njerëzve. Po i afrohemi fundjavës. Unë udhëtoj shumë. Jemi të shqetësuar për këtë. Por na është dashur të bëjmë një verifikim të brendshëm se cila është puna jonë kryesore: të sigurohemi që të ketë vonesa minimale ose anulime minimale, apo puna jonë është të sigurohemi që të marrim vendimet e vështira për të vazhduar ta mbajmë hapësirën ajrore të sigurt?”, tha Sean Duffy, Sekretar i Transportit i SHBA.
Megjithatë demokratët fajësojnë republikanët për mbylljen e qeverisë, ndërsa nuk heqin dorë nga kërkesa kryesore e tyre për të vazhduar financimin për programin e përkujdesjes shëndetësore për njerëzit në nevojë. Rreth 1.4 milionë punonjës federalë, nga kontrollorët e trafikut ajror te rojet e parkut dhe shumë zyrtarë të tjerë federalë po punojnë pa pagesë ose janë në pushim të detyruar, sepse Kongresi Amerikan nuk ka rënë dakord për një buxhet financimi federal. Sindikatat thonë se shumë punonjës po vuajnë nga stresi ose po detyrohen të fillojnë një punë të dytë. (A2 Televizion)
