“Kur të vdesë Cari”, Putin burgos 18-vjeçaren ruse që këndoi kundër luftës në Shën Petersburg

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 10:27 | Bota

“Kur të vdesë Cari”, Putin burgos 18-vjeçaren ruse

Një studente nga Shën Petersburgu u ndëshkua duke u burgos pasi këndoi në sheshin kryesor të qytetit vargje kundër regjimit të Kremlinit, në të cilat Vladimir Putin etiketohet si Cari që do të rrëzohet një ditë.

Diana Loginova, një studente e arteve që performon nën emrin Naoko me grupin e saj Stoptime, u arrestua të mërkurën pasi interpretimi i saj i këngës së njohur "Swan Lake Cooperative", kënduar fillimisht nga reperi rus në ekzil Noize MC, u bë virale në mediat sociale ruse.

Videoja tregon një grup të rinjsh që këndojnë së bashku me Loginovën në një shfaqje të rrallë të sfidës publike ndaj autoriteteve, duke pasur parasysh rrezikun e arrestimit.

Intepretimi i saj në shesh ndezi një valë solidariteti dhe kundërshtimi kundër autoriteteve ruse.

Një gjykatë në Shën Petersburg e shpalli atë fajtore të enjten për organizimin e një tubimi të paplanifikuar që bllokoi aksesin publik në metro, gjë që konsiderohet kundërvajtje, jo krim.

18-vjeçarja u dënua me 13 ditë burg. Policia e qytetit tha se pasi të vuajë 13 ditë burg, Loginova do të akuzohet gjithashtu për diskreditim të ushtrisë ruse.

Noize MC, muzikanti që shkroi këngën "Swan Lake Cooperative" dhe emri i vërtetë i të cilit është Ivan Alekseev, kritikon hapur Kremlinin dhe pas fillimit të luftës në Ukrainë, ai u largua nga Rusia për në Lituani. Moska e shtoi atë në një listë të "agjentëve të huaj" që përfshin qindra individë dhe subjekte të akuzuar për aktivitete subversive me mbështetje nga jashtë.

"Dua të shikoj balet, le të kërcejnë mjellmat. Le të dridhet plaku nga frika për liqenin e tij. Kur të vdesë Cari, do të kërcejmë sërish. Plaku ende mbahet fort pas fronit, i frikësuar ta lërë. Plaku në bunker ende mendon se jemi në vitin 1985", thuhet në tekstin e këngës.

Kënga nuk e përmend në mënyrë të qartë Presidentin Vladimir Putin dhe as luftën në Ukrainë, por baleti i referohet veprës “Liqeni i Mjelmave” të Pyotr Ilyich Tchaikovsky, e cila u shfaq në televizion pas vdekjes së udhëheqësve sovjetikë dhe gjatë përpjekjes për grusht shteti në vitin 1991 kundër Presidentit Mikhail Gorbachev, deri në atë pikë sa u bë simbol i fundit të sundimit të udhëheqësit. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos