Një gjyqtare federale e ka shpallur të paligjshme vendosjen e Gardës Kombëtare në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington. Autoritetet tejkaluan kompetencat e lejkuara me ligj, konstaton gjyqtarja Jia Cobb. Administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump nuk duhet ta kishte aktivizuar njësinë e kryeqytetit pa një kërkesë të qartë nga autoritetet lokale. Për më tepër, nuk duhet të kishte urdhëruar trupa të Gardës Kombëtare nga shtete të tjera në Uashington për qëllime policore, thuhet në vendim. Cobb urdhëroi që vendosja e Gardës Kombëtare të ndërpritej, por brenda tre javësh administrata Trump mund të apelojë këtë vendim. Prandaj, urdhri do të mbetet në fuqi deri më 11 dhjetor.
Trump e justifikon vendosjen e trupave
Garda Kombëtare është një njësi rezervë ushtarake dhe pjesë e forcave të armatosura të SHBA-së. Normalisht është nën kontrollin e shteteve individuale dhe vendoset në ndonjë vend në situata të tilla si fatkeqësi natyrore, trazira civile ose emergjenca të tjera. Megjithatë, në situata të caktuara, Presidenti i SHBA-së mund të marrë edhe komandën dhe ta dërgojë ate në ndonjë rajon.
Trump urdhëroi Gardën Kombëtare të shkonte në Uashington në gusht, duke justifikuar mobilizimin e saj me krim të supozuar të përhapur. Statistikat e krimit nuk e mbështesin këtë pretendim. Qyteti ndërmori veprime ligjore kundër vendosjes. Në urdhrin e saj, Cobb përshkroi se si trupat e Gardës Kombëtare ishin të pranishme në monumente, në stacione metroje dhe në lagje banimi të kryeqytetit.
Kostot rreth një milion dollarë në ditë
Sipas raporteve të medias, rreth 2.300 trupa të Gardës Kombëtare janë aktualisht të vendosura në Uashington, D.C. Cobb deklaroi se ata janë planifikuar të qëndrojnë në qytet deri në fund të shkurtit 2026. Rrjeti CNN vlerëson koston në afërsisht një milion dollarë në ditë. Trump vendosi trupa të Gardës Kombëtare për të patrulluar edhe në qytete të tjera. Kritikët paralajmërojnë se ai po i përdor trupat si një terren prove për një stil qeverisjeje gjithnjë e më autoritar. Disa procedura ligjore janë duke u zhvilluar në lidhje me këto vendosje. DW (A2 Televizion)
