
Pas ofendimeve, sulmeve dhe epiteteve të ndryshme që thanë për njëri-tjetrin bënë paqe në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti amerikan, Donald Trump, priti në Zyrën Ovale kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, me të cilin ndau një bisedë të mirë dhe produktive. Kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi ta ndihmonte atë në realizimin e planeve për qytetin më të madh të Shteteve të Bashkuara.
“Shpresojmë të keni një kryetar bashkie vërtet të shkëlqyer. Sa më mirë të punojë ai, aq më i lumtur jam unë. Nuk kemi dallime për shkaqe partie. Nuk kemi asnjë lloj dallimi, dhe ne do ta ndihmojmë atë që ta bëjë realitet ëndrrën e të gjithëve, të kemi një Nju Jork të fortë dhe shumë të sigurt”, tha presidenti.
“Ishte një takim produktiv i përqendruar në një vend admirimi dhe dashurie të përbashkët, që është Qyteti i Nju Jorkut, dhe nevojën për t'u ofruar jetë të përballueshme banorëve të Nju Jorkut. Folëm për qiranë, folëm për ushqimet, folëm për shërbimet. Pres me padurim të punojmë së bashku për të ofruar këtë jetë të përballueshme për banorët e Nju Jorkut”, deklaroi kreu i bashkisë.
Gazetarët në Shtëpinë e Bardhë vunë në provë këtë takim “dashurie” pas urrejtjes në distancë mes Mamdanit dhe Trump, duke i sjellë në vëmendje epitetet si “komunist”, “despot” apo “fashist”.
“Mendoj se si unë ashtu edhe Presidenti Trump jemi shumë të qartë në lidhje me qëndrimet dhe pikëpamjet tona. Dhe ajo që vlerësoj vërtet te presidenti është se takimi që patëm nuk u përqendrua në pikat e mosmarrëveshjeve, që janë shumë, por u përqendrua gjithashtu në qëllimin e përbashkët që kemi në shërbim të njujorkezëve”, tha Mamdani.
“Më kanë quajtur shumë më keq se një despot. Kështu që nuk është aq fyese. Por ndoshta mendoj se ai do të ndryshojë mendje pasi të fillojmë të punojmë së bashku”, shtensionoi situatën kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trump pranoi se disa ide të Mamdanit janë të njëjta me ato që presidenti republikan ka. (A2 Televizion)
