
Reshjet e dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, daljen e përrenjve nga shtrati dhe probleme të shumta me qarkullimin në disa zona të Turqisë.
Situata më e rënduar paraqitet në provincën Sakarya, në veriperëndim të vendit, ku në disa zona janë regjistruar mbi 100 milimetra reshje. Në pjesë të ndryshme të provincës, sasia e shiut ka arritur në 120 deri në 150 kilogramë për metër katror.
Kryetari i bashkisë së Sakaryas, Yusuf Alemdar, e ka cilësuar situatën si jashtëzakonisht të pazakontë.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë rënë 27 vjet shi. Herën e fundit që pamë një shi të tillë ishte në vitin 1999. Këto janë reshje shumë të dendura shiu”, deklaroi ai.
Reshjet e fuqishme kanë bërë që përrenjtë të dalin nga shtrati, ndërsa disa rrugë janë dëmtuar ose shembur. Uji ka përfshirë banesa, biznese dhe sipërfaqe bujqësore, ndërsa në disa akse qarkullimi po bëhet me vështirësi dhe po ndërhyhet me ekskavatorë e traktorë.
Ministria e Brendshme e Turqisë njoftoi se katër persona të bllokuar nga ujërat janë shpëtuar nga ekipet e Agjencisë Turke të Menaxhimit të Emergjencave (AFAD) dhe Rojës Bregdetare dhe janë dërguar në një zonë të sigurt.
Në zonat e prekura janë angazhuar 560 punonjës dhe 225 automjete për përballimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat problematike.
Përmbytje janë raportuar edhe në Mudanya, në provincën Bursa, ku uji ka përfshirë banesa dhe biznese. Ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë për të nxjerrë nga zona e rrezikuar një nënë, tre fëmijët e saj dhe një qen.
Ndërkohë, në lagjen Kandı të Orhanelit, reshjet e dendura kanë shkaktuar edhe shembjen e një pjese të murit të një banese të ndërtuar me tulla. (A2 Televizion)