Qeveria federale Amerikane është mbyllur zyrtarisht. Administrata e presidentit Donald Trump ka mbetur pa dollarë pasi Kongresi nuk u pajtua për një plan financimi. Pika ndarëse mes Republikanëve dhe Demokratëve është shëndetësia.
Opozita kërkon që të ndërpresë shkurtimet në financimin e mbështetjes mjekësore. Por republikanët kundërshtojnë. Mbyllja, e para që nga fundi i vitit 2018, ka të ngjarë të ndalojë përkohësisht disa, por jo të gjitha, shërbimet qeveritare amerikane. Më herët, Presidenti Donald Trump kërcënoi me shkarkime masive “të pakthyeshme” të punonjësve federalë nëse mbyllja e qeverisë do të vazhdonte. Punëtorët në poste kyçe do të vazhdojnë punën si normalisht, disa pa pagesë, por punonjës të tjerë qeveritarë tani janë në pushim të papaguar, shkruan A2 CNN.
Departamenti i Mbrojtjes, apo i Luftës siç është riemërtuar sëfundmi, është më i prekuri me mbi 334 mijë funksionarë që do të qëndrojnë në shtëpi. Programet e ndihmës ushqimore do të ndikohen gjithashtu. Mbrojtja e kufijve, kujdesi mjekësor në spital, zbatimi i ligjit dhe kontrolli i trafikut ajror duhet të vazhdojnë të operojnë si normalisht. Departamenti i Sigurisë së Brendshme njofton se 200 mijë anëtarë të forcës ligjzbatuese do të vijojnë punën pa pagë.
Mbyllja federale ka të ngjarë të ndikojë tek udhëtarët, pasi mund të ketë radhë të gjata sigurie dhe vonesa të shkaktuara nga kontrollorët e trafikut ajror të papaguar që zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi në vend që të punojnë falas. Gjithashtu do të detyrojë mbylljen e parqeve, muzeve dhe atraksioneve të tjera. (A2 Televizion)