
Deputetët e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti, Besart Xhaferi, Zija Ismaili dhe Xhelal Mziu kanë shkuar në spitalin e Traumës dhe kanë denoncuar se protestuesit po përballen me një dhunë ekstreme nga forcat e rendit dhe jo vetëm.
Deputeti Bardh Spahia tha se disa qytetarë kanë shmangur marrjen e ndihmës mjekësore nga frika e strukturave të rendit. Spahia deklaroi se të plagosurit kanë pësuar dëmtime nga goditjet me shkopinj, gurë dhe plumba gome, ndërsa disa prej tyre kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ai përmendi edhe persona me fraktura të vertebrave dhe dëmtime në kokë, përcjell A2.
Deputeti denoncoi gjithashtu praninë në spital të personave me maska dhe pa shenja identifikuese, të cilët, sipas tij, po intimidojnë të plagosurit dhe po krijojnë një klimë frike në ambientet ku ata kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Jemi këtu sot së bashku me kolegët, deputetë të Partisë Demokratike, për të ndjekur situatën dinamike, situatën skandaloze, kriminale do ta quaja unë, me të cilën po përballen shumë prej qytetarëve shqiptarë. Ka një fluks të jashtëzakonshëm personash të dëmtuar nga policia, të cilët janë paraqitur në qendrën e Traumës, për të marrë shërbimin mjekësor. Deri tani vetëm të regjistruar janë rreth 19 apo 20 persona të lënduar dhe ka një numër tjetër të madh të cilët kanë zgjedhur të mos mjekohen pikërisht nga frika që kanë nga strukturat e rendit publik, nga strukturat e policisë, madje dhe nga disa struktura të cilat janë në shërbim dhe në funksion të policisë por janë krejtësisht të paidentifikueshme, pasi janë persona të veshur me të zeza, me kapuç të zinj, pa asnjë shenjë identifikuese si persona të policisë. Për hir të së vërtetës, ne kemi kontaktuar shumicën prej personave të lënduar. Ka lëndime serioze, nga ato të goditjeve me shkop nga ana e policëve, por edhe goditje me gurë po nga ana e policëve drejt demonstruesve, si dhe goditje dhe persona të lënduar seriozisht nga goditja me plumba plastikë apo plumba gome. Goditje të cilat kanë kërkuar edhe ndërhyrje kirurgjikale. Sigurisht kemi ndjekur nga afër edhe gjendjen e pacientëve të dëmtuar ditën e djeshme, me fraktura të vertebrave dhe dëmtime të kokës. Pra po e ndjekim situatën në vazhdim. Jemi këtu edhe për të garantuar sigurinë e të gjithë personave që kërkojnë shërbim mjekësor, pasi siç kemi parë gjatë gjithë ditës së sotme, ambientet e Spitalit të Traumës kanë qenë të mbushura me persona të paidentifikuar, me maska, të cilët kanë ushtruar një terror jo vetëm psikologjik ndaj personave që kanë ardhur për shërbim. Akoma brenda ka policë të shumtë të cilët i rrinë mbi kokë personave të plagosur, ka persona me maska të cilët tentojnë të intimidojnë personat të cilët kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Prandaj jemi dhe sot këtu, për të garantuar të paktën në ambientet spitalore, sigurinë e demonstruesve. Dhe jemi në vazhdimësi në ndjekje të tyre”, tha Spahia. (A2 Televizion)