
Franca ka kërkuar thirrjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas avancimit të forcave izraelite në Libanin jugor dhe marrjes nën kontroll të Fortit strategjik Beaufort.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se zhvillimet e fundit përbëjnë një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës dhe shkelje të frymës së armëpushimit në rajon.
“Asgjë nuk mund të justifikojë vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite në Liban dhe një pushtim gjithnjë e më të thellë të territorit libanez”, tha Barrot në një intervistë për transmetuesin francez BFMTV.
Sipas raportimeve mediatike, ushtria izraelite ka njoftuar se do të intensifikojë operacionet kundër objektivave të Hezbollahut, pasi ngriti flamurin kombëtar izraelit në kështjellën historike Beaufort, një pikë me rëndësi të veçantë strategjike në jug të Libanit.
Shefi i diplomacisë franceze theksoi se Parisi e njeh të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje ndaj sulmeve të Hezbollahut, grup i mbështetur nga Irani, por shtoi se veprimet e fundit ushtarake nuk mund të justifikohen.
Kërkesa e Francës për një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit vjen në një kohë kur tensionet në kufirin Izrael-Liban vijojnë të rriten, duke shtuar shqetësimet ndërkombëtare për një zgjerim të konfliktit në rajon. (A2 Televizion)