Testimet japin shpresë! Një ilaç i ri inteligjent kundër kancerit zhduk tërësisht tumoret

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 22:26 | Bota

Testimet japin shpresë! Një ilaç i ri inteligjent kundër

Një trajtim i ri revolucionar ka sjellë rezultate të paprecedentë në mjekësi, duke arritur të zhdukë plotësisht tumoret te disa pacientë me kancer të avancuar. Bëhet fjalë për një injeksion me veprim të trefishtë, i cili u testua te pacientët që nuk reagonin më ndaj kimioterapisë apo imunoterapisë tradicionale, përcjell A2 CNN.

Ilaçi i quajtur Amivantamab, i zhvilluar nga kompania Johnson & Johnson, u testua në një projekt ndërkombëtar në 11 shtete. Në provat klinike morën pjesë 102 pacientë me kancer të kokës dhe qafës (lloji i gjashtë më i përhapur në botë). Rezultatet ishin befasuese! Te më shumë se një e treta e pacientëve (43 persona) tumoret u zvogëluan ndjeshëm, ndërsa në 15 raste ato u shkrinë plotësisht brenda pak javësh.

Sipas shkencëtarëve nga Instituti i Kërkimit të Kancerit në Londër (ICR), ky zbulim është një hap gjigant përpara. Pacientët e përfshirë në studim kishin jetëgjatësi të kufizuar dhe opsione të pakta mjekimi. Për më tepër, trajtimi ka treguar efikasitet të ngjashëm edhe te pacientët me kancer në mushkëri. Aktualisht, ai po vlerësohet në rreth 60 prova të tjera klinike për tumoret në tru, stomak dhe zorrë.

Si funksionon kjo “vaksinë”? Ky mjekim inteligjent sulmon kancerin në tre rrugë: Bllokon proteinën EGFR, e cila ndihmon rritjen e tumorit. Bllokon rrugën MET, të cilën qelizat kancerogjene e përdorin për t'i shpëtuar mjekimit. Aktivizon sistemin imunitar të vetë pacientit për të sulmuar sëmundjen.

Ndryshe nga trajtimet e zakonshme me vigon, ky ilaç jepet si një injeksion i thjeshtë nën lëkurë çdo tri javë, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë. Efektet anësore ishin kryesisht të lehta, duke u mundësuar pacientëve t'i rikthehen jetës normale, të flasin pa dhimbje dhe të ushqehen rregullisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos