Më pak se një javë pasi lavdëruan njëri-tjetrin në Zyrën Ovale, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Elon Musk, janë përfshirë nga një debat i ashpër mes tyre.
Në një luftë fjalësh që u përshkallëzua të enjten, Trump dhe Musk përdorën platformën e tyre të mediave sociale për të sulmuar njëri-tjetrin. Edhe pse shumë analistë politikë kishin parashikuar se aleanca e tyre nuk do të zgjaste, shpejtësia me të cilën ajo u shemb, ishte dramatike.
Vetëm të premten e kaluar, Trump po festonte punën e Musk si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, i cili mbikëqyr shkurtimin e miliarda dollarëve në shpenzimet federale.
Miliarderi i lindur në Afrikën e Jugut kishte vendosur të tërhiqej nga puna e tij me qeverinë amerikane për t’u përqendruar në bizneset e tij, të cilat kanë vuajtur si rezultat i hyrjes së tij në politikë. Duke folur në ceremoninë e lamtumirës në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, presidenti amerikan e quajti Musk-un, “një nga udhëheqësit dhe inovatorët më të mëdhenj të biznesit që bota ka prodhuar ndonjëherë”.
Por shkëlqimi i marrëdhënies së tyre të ngushtë, që dikur ishte, tani është zhdukur plotësisht. Pasi miqësia e miliarderëve u acarua dhe mosmarrëveshja e tyre u thellua, janë ngritur pyetje në lidhje me dëmin që dy nga burrat më të fuqishëm në botë, mund t’i shkaktojnë njëri-tjetrit. Ndërsa Musk mund të mbajë dhjetëra miliona dollarë nga donacionet e premtuara të fushatës, Trump ka kërcënuar të shkurtojë miliarda dollarë në kontratat dhe subvencionet qeveritare për kompanitë e Musk.
Përçarja publike midis tyre filloi të martën, kur Musk kritikoi në X “projektligjin e madh dhe të bukur” të Trump. Projektligji, i cili u miratua me një diferencë të ngushtë votash në Dhomën e Përfaqësuesve, por përballet me sfida në Senat, përfshin shkurtime të mëdha taksash dhe rritjen e tavanit të borxhit kombëtar. Musk, i cili thotë se projektligji dëmton të gjitha kursimet e bëra nga DOGE, filloi ta dënojë atë me forcë këtë javë. Projektligji është “masiv, skandaloz, plot me mish derri” dhe e “neveritshme “, tha Musk, shkruan A2 CNN.
Trump u përgjigj në Zyrën Ovale gjatë një vizite nga kancelari gjerman Friedrich Merz. Trump tha se ishte “shumë i zhgënjyer” nga Musk, përpara se të shprehte dyshime, nëse “marrëdhënia e tyre e shkëlqyer” do të vazhdonte. Debati më pas u bë më personal, me Musk, i cili i dha fushatës së Trump qindra miliona dollarë vitin e kaluar, duke thënë se presidenti amerikan nuk do të ishte në Shtëpinë e Bardhë pa të.
“Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet, demokratët do të kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe republikanët do të ishin 51-49 në Senat”, shkroi Musk në X. Gjërat arritën kulmin më vonë të enjten pasdite. “Mënyra më e lehtë për të kursyer para në buxhetin tonë, miliarda e miliarda dollarë, është të ndërpresim subvencionet dhe kontratat qeveritare të Elonit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. Musk u hakmor, duke pretenduar se emri i Trump shfaqet në dosjet e pedofilit dhe financierit të turpëruar Jeffrey Epstein, duke pretenduar se kjo ishte “arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike”. Shtëpia e Bardhë tha të enjten në mbrëmje se pretendimi i Musk për Epstein, ishte një “episod i pafat”. Administrata Trump ka sugjeruar se kritikat e miliarderit të teknologjisë për projektligjin historik, rrjedhin nga zhgënjimi i tij që ai nuk përmban politika të favorshme për të, diçka që Musk e ka mohuar.
(A2 Televizion)