Presidenti Joe Biden paralajmëroi republikanët të martën se do t'i bënin Rusisë një "dhuratë Krishtlindjesh" nëse nuk do të miratonin paketën e ndihmave prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Uashington të presidentit Volodimir Zelenski, i cili u përball me pritje skeptike nga ligjvënësit kryesorë republikanë.
Kreu i shtëpisë së bardhë tha se as ai, as populli amerikan nuk do ta braktisnin Ukrainën por paralajmëroi ligjvënësit se ata rrezikonin t'i dhuronin një fitore presidentit rus Vladimir Putin nëse nuk i japin dritën jeshile paketës së ndihmave.
“E gjithë bota po sheh se çfarë po bëjmë. Le ti tregojmë se kush jemi, Amerika mbështet lirinë, sot, nesër dhe gjithmonë. Amerika është kundër tiranisë dhe shtypjes, Amerika është me njerëzit e Ukrainës.”
Presidenti Zelenski theksoi se vendi i tij po luftonte për lirinë e vet por edhe të botës, dhe se suksesi i vendit kundër Rusisë do të kishte ndikim edhe tek shtetet e tjera europiane.
Duke këmbëngulur se kundërofensiva e Kievit po shënon përparim, ai i hodhi poshtë si çmenduri, sugjerimet që Ukraina t’i lëshonte Rusisë territorin e pushtuar.
“Si mundet Ukraina të heqë dorë nga territori i saj? Të them të drejtën kjo do të ishte çmenduri... Ne kemi njerëzit tanë, kemi familje atje. Po flasim për qenie njerëzore."
Vizita e tij në SHBA u zhvillua teksa ndihma shtesë për Kievin është në dyshim serioz. Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nuk do ta mbështeste kërkesën e presidentit Biden për t'i dhënë Ukrainës 61.4 miliardë dollarë.
Republikanë të tjerë hodhën dyshime nëse fondet shtesë do ta ndihmojnë Ukrainën të mposhtë Rusinë, pas një ofensive verore që nuk ka sjellë përfitime të qarta. Presidenti Biden sakaq, njoftoi pas takimit me Zelenskin një paketë shtesë prej 200 milionë dollarësh për shtetin në luftë. (A2 Televizion)