Forcat ruse kanë vrarë 460 ushtarë ukrainas gjatë javës së kaluar teksa ata përpiqeshin të kalonin lumin Dnipro në rajonin Kherson, për të arritur në bregun lindor të kontrolluar nga Rusia.
Kështu deklaroi Ministria e Mbrojtjes e Moskës, sipas të cilës në javën e fundit, forcat ruse kanë zmbrapsur 33 përpjekje ukrainase për sulm përgjatë gjithë frontit, me humbje të vlerësuara prej 1,810 ushtarësh ukrainas.
Ndërkohë, sipas ushtrisë së Kievit, trupat ukrainase kanë kryer një sërë operacionesh të suksesshme në bregun lindor të lumit Dnipro.
“Forcat mbrojtëse të Ukrainës kryen një sërë operacionesh të suksesshme në bregun e majtë të lumit Dnipro, përgjatë frontit Kherson”, tha Trupi Detar i Ukrainës në një deklaratë në mediat sociale.
Ukraina çliroi Kherson dhe zonat përreth qytetit në bregun perëndimor të lumit një vit më parë, pasi Rusia ekzekutoi një tërheqje disa javë pasi Vladimir Putin e kishte shpallur rajonin pjesë të Rusisë. (A2 Televizion)