“Po na pengojnë punën”- OBSH dënon sulmet izraelite në objektet e saj në Gaza

Nga A2 CNN
22 Korrik 2025, 12:05 | Bota

“Po na pengojnë punën”- OBSH dënon sulmet izraelite

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se ofensiva tokësore e Izraelit në qendër të Gazës, i ka penguar përpjekjet e saj për të vazhduar punën, meqë i janë goditur objektet.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara i ka akuzuar forcat izraelite për sulm në një ndërtesë ku është strehuar stafi i saj dhe familjet e tyre në qytetin Deir al-Balah, dhe për keqtrajtim të atyre që kanë qenë në ato hapësira.

Ushtria izraelite nuk i ka komentuar ende këto pretendime.

Mijëra palestinezë janë detyruar të shpërngulen si pasojë e operacionit të parë të madh të ushtrisë izraelite në Deir al-Balah prej nisjes së luftës së nxitur nga Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – 21 muaj më parë.

OKB-ja ka thënë se është duke pranuar informacione për persona të kequshqyer që janë duke shkuar nëpër klinika dhe spitale në gjendje shumë të rënduar.

Të dielën, ushtria izraelite ka urdhëruar evakuim të menjëhershëm të gjashtë blloqeve në jug të Deir al-Balahut, me paralajmërimin se do të operojë “me forcë të madhe për t’i shkatërruar kapacitetet e armikut dhe infrastrukturën terroriste”.

Vlerësohet se 50.000-80.000 njerëz që kanë jetuar në zonat e prekura, janë urdhëruar që të shkojnë në jug të Gazës.

Zyra e OKB-së për çështje humanitare ka thënë se stafi i OKB-së do të vazhdojë të qëndrojë në Deir al-Balah, pavarësisht urdhrit për evakuim.

Sipas kësaj organizate, rreth 87 për qind e Gazës tani është e përfshirë nga urdhrat izraelite për evakuime, duke i detyruar 2.1 milionë njerëz që të ngjeshen në një territor prej 46 kilometrash katrorë ku mungojnë edhe gjërat më elementare.

Burimet izraelite kanë thënë se prezenca e mundshme e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi është arsyeja pse Deir al-Balah nuk është shënjestruar deri më tani nga ndonjë ofensivë tokësore.

Të paktën 20 deri në 50 pengje që janë ende në mbajtje, besohet se janë gjallë.

Familjet e pengjeve janë shprehur të shqetësuara, duke thënë se ofensiva mund t’i rrezikojë ata.

Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos